Qëllohet aeroplani i komandantit suprem

Të martën, rreth orës një pas mesnate, kryengritësit qëlluan me raketa në bazën ajrore në Bagram, afër Kabulit, njoftoi NBC News. Dy prej raketave ranë brenda bazës ajrore, ndërkohë që një tjetër qëlloi aeroplanin e gjeneralit Dempsey. Raketat dëmtuan edhe një helikopter të parkuar afër aeroplanit.
Gjenerali Dempsey nuk ndodhej në aeroplan në kohën e sulmit, ndërkohë që nuk u raportua as për ndonjë të lënduar tjetër nga sulmi raketor.
Ndryshe, aeroplani i qëlluar po përdorej përkohësisht nga Dempsey dhe ekipi i tij.
Të martën në mëngjes, në bazën ajrore u soll një aeroplan i ri për gjeneralin Dempsey, me të cilin ai dhe ekipi i tij u larguan nga baza ajrore në Bagram.
"[Dempsey] nuk ishte as afër aeroplanit. Ne mendojmë se këtu bëhet fjalë për një qëllim të rastësishëm [të aeroplanit]”, tha për agjencinë Reuters koloneli amerikan Thomas Collins.
Dempsey qëndroi për një vizitë dyditëshe në Afganistan, gjatë së cilës bisedoi me komandantë të NATO’s dhe ata të Afganistanit lidhur me sulmet e fundit. Para largimit nga Afganistani, Dempsey takoi kryegjeneralin afgan, Sher Mohammad Karimi, të cilit ia adresoi problemin e sulmeve të ushtarëve dhe oficerëve afganë ndaj pjesëtarëve të forcave të Aleancës, si pasojë e të cilave vetëm gjatë dy javëve të fundit janë vrarë 10 ushtarë amerikanë.
Përveç në Bagram sulme sporadike të kryengritësve ndodhin edhe në bazat tjera ajrore të NATO’s në Afganistan, siç është rasti me bazën Ajrore në Kandahar, në jug të vendit, edhe pse ato rrallëherë shkaktojnë viktima apo dëme të mëdha materiale.