Thaçi, Daçiçit: Dialog me Serbinë, pavarësia çështje e mbyllur
Kryeministri i Serbisë dhe ai i Kosovës paraqitën sot vizione të kundërta në debatin e zhvilluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, ku u diskutua mbi raportin tre mujor të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun për Kosovën.
Nga ana e tij kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, paraqiti një vizion të ndryshëm. Ai tha se fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë pasqyron besimin e komuniteteve se Kosova do t`i bashkohet me sukses Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i`a bëri të qartë kryeministrit serb Dacic, se statusi i Kosovës është zgjidhur një herë e përgjithmonë.Thaçi tha se pothuajse gjysma e shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur tashmë Republikën e Kosovës, dhe priten njohje të reja.
“Me 17 shkurt 2008, është dita kur Kosova ka zgjidhur statusin e saj. Shtetësia e Kosovës është fakt politik dhe juridik dhe ne kurrë nuk do ta diskutojmë atë.Ne fuqimisht besojmë se mosnjohja rrezikon stabilitetin në Ballkan, minon investimet evropiane dhe ndërkombëtare në shtet-ndërtimin e Kosovës dhe rrezikon perspektivën për integrim të gjithë rajonit”, tha kryeministri Thaçi.
Më tej Thaçi shtoi se më shumë se 50.000 serbë të Kosovës janë pajisur me dokumente personale identifikimi dhe pasaporta të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe shumë udhëheqës fetar serbë. Ai tha se angazhimi i Prishtinës për mbrojtjen e komuniteteve pakicë dhe të drejtave të tyre, mbetet në qendër të politikës së saj.
Thaçi theksoi se qeveria e Prishtinës ka arritur të integrojë më shumë se 100.000 serbë të Kosovës në institucionet, ku ata tani janë duke shijuar vetëqeverisje. Megjithatë, tha ai, Prishtina nuk ka mundur të arrijë rezultate të njëjta në tri komunat në pjesën veriore të Kosovës.
Ndërkaq Thaçi tha gjithashtu se Prishtina është kundër idesë së ndarjes, ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve. Ai tha se qeveria e tij kurrë nuk do të rrezikojë pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të shtetit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është përparësi për qeverinë e tij. Por normalizimi, tha ai, nuk nënkupton dominimin e Serbisë mbi Kosovën apo kthimin e hegjemonisë së Serbisë në Kosovë dhe vende të tjera në rajon. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, tha zoti Thaçi, qeveria e tij nuk do të verë në diskutim shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ndërkaq më herët Kryeministri i Serbisë në fjalimin e tij ndër të tjera tha se Serbia nuk do të pranojë Pavarësinë e Kosovës.
“Nuk do të pranojmë që Kosova në mënyrë të njëanshme të shpallë Pavarësinë dhe gjithashtu nuk do ta pranojmë Pavarësinë e njëanshëm të saj”, ka thënë Daçiq.
Kryeministri serb Ivica Daçiç u ka bërë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, që të mos e bëjnë këtë hap.Ai tha se konfigurimi i EULEX-it dhe heqja e përgjegjësive ekzekutive të institucioneve ndërkombëtare, është anashkalim i OKB-së, pasi Këshilli i Sigurimit nuk është konsultuar për këtë.