E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllon 35-vjeçarin në gjendje të dehur, në kërkim autori

PËRRENJAS/ Arben Rira nga Piskopati i Pogradecit, qëlloi me armë bashkëmoshatarin e tij pas një grindjeje të momentit


PËRRENJAS - Në gjendje të dehur ka qëlluar me dy plumba një bashkëmoshatar e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të së hënës në një lokal të qytetit të Përrenjasit, ndërkohë që i plagosuri është 35-vjeçari A.Çerri.


Burimet nga policia bënë të ditur se në kërkim është shpallur bashkëmoshatari i tij, Arben Rira, i lindur në Rrajcë dhe me banim në Piskopat të Pogradecit.


Dyshohet se ka qenë një grindje e momentit që ka çuar në një veprim të autorit të ngjarjes, megjithatë, ende nuk dihet se pse ai e kishte armën me vete. Rira ende nuk është vënë në pranga nga uniformat blu të Elbasanit, të cilat po e kërkojnë në bashkëpunim edhe me blutë e Pogradecit. Rira akuzohet për "plagosje të rëndë me dashje" dhe "armëmbajtje pa leje".


Ngjarja


Mësohet se gjithçka ka ndodhur vetëm një orë pasi kishte hyrë dita e hënë. Shtetasi Arben Rira, 35 vjeç, ka shkuar në një lokal në Përrenjas të Librazhdit dhe pasi ka hyrë aty ka kërkuar pronarin. Në këtë kohë ka dalë shtetasi A.Çerri,, i cili është nipi i pronarit të lokalit. Rira mësohet të ketë qenë në gjendje të pirë dhe i armatosur.


Teksa ka parë Çerrin, ai ka nisur të debatojë me të dhe më pas i ka drejtuar armën duke e qëlluar dy herë. Fatmirësisht plumbat e shtënë nga arma nuk kanë qenë vdekjeprurës, teksa 35-vjeçari ka marrë një plagë në krah dhe një në këmbë.


Menjëherë ai është dërguar për në spitalin e Librazhdit e më pas është përcjellë në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë, autori i krimit ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes pa u kapur nga policia.
Hetimi


Burimet nga policia bënë të ditur se nga hetimet e para rezulton se autori kishte pirë në një ambient tjetër dhe pas mesnatës është paraqitur në gjendje të dehur në lokalin ku punonte Çerri, ndërsa pronari 40-vjeçar i ambientit nuk ishte i pranishëm.


Teksa Rira ka kërkuar që të takonte 50-vjeçarin, në të vërtetë është grindur me Çerrin, grindje që dyshohet që të ketë nisur për shkak të gjendjes në të cilin ai ndodhej.


Nuk dihet që mes dy personave të kishte një konflikt të mëparshëm, çka ka bërë që grindja të cilësohet si e çastit. Ndaj 35-vjeçarit Arben Rira nga Piskopati i Pogradecit janë ngritur akuzat e "plagosjes së rëndë me dashje" dhe "armëmbajtjes pa leje".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›