E Diel, 1 Nëntor 2026

Jataganë shqiptarë në muzeun rus të armëve

Admirali i flotës ruse, Kasatanov, kishte në koleksionin e tij jataganë të prodhimeve shqiptare, të cilat nuk dihet se kush ia ka dhuruar. Pas vdekjes së tij, i biri i dorëzoi armët e çmuara dhe mjaft të kushtueshme në muzeun rus të armëve.


Duke iu referuar shkrimeve të specialistëve rusë, këta jataganë gjatë disa dekadave janë ruajtur si relike familjare në familjen e Kasatonovëve, familje e cila i ka dhënë Rusisë dy zv.kryekomandantë të Parë të Flotave Luftarake Detare (FLD): admiralin e flotës Vladimir Afanasjeviçin në vitet 1964-1974 dhe admiralin Igor Vladimiroviçin në vitet 1992-1999. Në një periudhë 300-vjçare të historisë ruse ky, ndoshta, është rasti i parë i këtij lloji.


Futja e jataganëve në koleksionin e ushtarakëve të famshëm ka bërë që personeli i specialistëve të muzeut rus të armëve të nisë kërkimet për vendin nga janë marrë, por në familjen e Kasatanovit askush nuk ka pasur informacion të saktë. Kërkimet janë kryer në dy drejtime: në studimin e detajuar të objekteve, si dhe një analizë të shërbimit të kryer nga Vladimir Afanasjeviçi në flotë.


Jatagani i madh


Duke iu referuar materialeve të paraqitura nga këta specialistë, "jatagani më i madh me numër inventari 56125 ka një teh me një anë të mprehtë me gjatësi 57 dhe gjerësi 4 cm , të shoqëruar me dy ullukë (të çara) të hollë nga të dy anët e sheshta që lehtësojnë rrjedhjen e gjakut në kohën e përdorimit .


Të dyja anët e tehut janë të dekoruara me gdhendje kundër ndryshkut dhe ornamente gjeometrike të lara me argjend. Bazamenti i tehut në të dy anët është i stolisur me ornamente të figuruara me spira elegante, të realizuara në teknikën e filigranit. Ata janë shoqëruar me incizime që paraqesin mbase një bilbil, "zogth këngëtar" dhe një frut "boronicë".


Doreza e jataganit është punuar me aliazh argjendi më e konstruktuar ndarje karakteristike ("veshët"), që janë zbukuruar edhe me gurët e çmuar. Këllëfi prej druri është i mbuluar me pllakëza të petëzuara bronzi dhe ka të punuar modele, komplekse gjeometrike dhe yllin gjashtëcepash, simbolin e Davidit që tregon se ka mbështetur forcën e shpirtit të më të vegjëlve në luftë kundër forcave të errësirës. Goja e këllëfit është zbukuruar me unaza tërthore filigrani.


Maja e këllëfit është zbukuruar me figurën e kokës së kafshës me gojë të hapur".
Specialistet rusë, duke vlerësuar tendencën tematike të formulimit artistik të jataganit, vçoritë e tij konstruktive, materialet e përdorura dhe mënyrat teknologjike të hedhjes së dekorit, arrijnë në përfundimin se armën e kanë prodhuar mjeshtra ballkanas në fund të shekullit XIX.


Ata theksojnë se është për t'u vënë në dukje se si material për prodhimin e dorezës është përdorur lidhje e argjendë me bakër në raport nga 39:10 deri në 60:40.


Përvç filigranit, mjeshtrit vendas kanë përdorur gjerësisht derdhjen, gdhendjen, rrahjen, filetimin dhe stolisjen me granulim (kokërrzim). Zbukurimet me përdredhje filigrani dhe me dantella, të aplikuara në produktet me teknikën e "telish kafazeli filigranit" në vendet e Ballkanit konsiderohen thjesht shpikje kombëtare.


Përzierja e argjendit, bakrit dhe plumbit, shkrirë në zjarr në poçe, gjatë ftohjes i jepte një nxirje (oksidim) specifik, që ishte tipike për armëtarët dhe argjendarët e Kosovës, thonë ekspertët rusë të muzeut të flotës detare të Shën Petërburgut. Kjo teknike njihet si zbukurimi me savat ose oksid plumbi.


Jatagani i vogël


Jatagani i vogël ka numër inventari 56126. Ai është me një teh prerës, me formë karakteristike të kamës, ka një gjatësi prej 44 cm dhe gjerësi prej 2,5 cm dhe një ulluk të ngushtë, që kalon nëpër të gjithë gjatësinë e dy anëve të sheshta të shiritit. Jatagani i vogël, me sa duket, është prodhuar në kufirin e shekujve XIX-XX.


Ndryshe nga jatagani i madh, identifikimi i këtij jatagani ka qenë më i thjeshtë. Këtu, në dorezën e derdhur në metal me shkëlqim, lehtësisht shihet një simbolikë tipike për mjeshtrat shqiptarë, e përdorur shpesh prej tyre në zbukurimin e armëve - një zog që mban në sqep një gjarpër.


Së fundi, më tej në dorezë shihet dukshëm një shqiponjë dykrerëshe - stema e Shqipërisë që i ka burimet nga stema e fisit të princit shqiptar Gjergj Kastrioti - çlirimtarit të popullit shqiptar nga pushtuesit.


Ekspertët rusë theksojnë se "i quajtur në popull Skënderbej, ai e udhëhoqi luftën e shqiptarëve kundër osmanëve, u bë hero kombëtar dhe u glorifikua në këngë popullore" .


Mbi tehun metalik janë realizuar artistikisht stolisje të asaj periudhe me lule dhe figura gjeometrike. Këllëfi i drunjtë, milli është i mbingarkuar me ornamente dhe është veshur me pllakëza të petëzuara bronzi me një sipërfaqe të ngjyrosur me argjend.


Brenda tyre janë vendosur gurë zbukurimi, xhevahire. Këtu, permes një pune artistike janë ndërthurur figura prej degëve të bimëve dhe motive gjeometrike, që japin edhe imazhin tradicional të objektit mitologjik "Dragoi" - një dragua i mirë. Edhe Goja e këllëfit është e zbukuruar me ornamente rrethore (lule dhe motive gjeometrike).


Specialistët e muzeut rus të armëve theksojnë se ka mundësi që jatagani të jetë prodhuar vonë, në fillim të shekujve XIX-XX . Ata e vlerësojnë se ai mund të jetë prodhim i qytetit të Prizrenit, që sipas tyre, njihet si qendra më e madhe e prodhimit të armëve me zbukurime në Ballkan.


Ata theksojne se "në Shqipëri prej kohësh ruhet tradita për t'u dhuruar perandorëve, diplomatëve dhe njerëzve të shquar armët e tyre të zbukuruara. Ka mundësi që Kasatonovit t'i jetë bërë ky nder.


Kasatanov dhe karriera


Ai ka pasur një rrugë të vështirë jete dhe karriere. Në historinë e flotës ruse, ndoshta, nuk gjendet një tjetër admiral që të ketë pasur përvojë komandimi të flotave të Bashkimit Sovjetik - Flotës së Tetë Balltikut, Flotës se Detit të Zi, Flotës së Detit të Veriut dhe Flotës së Paqësorit (si shef i shtabit). Admirali Kasatonov e mbylli karrierën si zëvendëskryekomandant i parë i Forcave të Armatosura Detare të Bashkimit Sovjetik.
Periudha kur admirali V.A.


Kasatonov ishte komandant i flotës së Detit të Zi (1955-1962) përkonte me acarimin e situatës në Lindjen e Mesme, ngjarjet ushtarake rreth kanalit të Suezit dhe në Hungari, rritjen e aktivitetit të SHBA-së dhe NATO-s në zonën e Mesdheut.


Për të ruajtur konspiracionin, nëndetëset sovjetike dilnin në det nën flamurin shqiptar. Me sa duket, gjatë një vizitë në Shqipëri Kasatovit i janë dhuruar jataganët.
Në vitin 1959 komandanti i flotës admirali Kasatonov ka bërë një vizitë të radhës në portin e Vlorës.


Pas realizimit të detyrave të zjarrit në det të hapur, nëndetësja u kthye në bazë. Fill pas komandantit të flotës në mol erdhi një kursant i shkollës së lartë ushtarake, i cili quhej Igor Kasatonov.


Atëherë askush nuk mund ta imagjinonte se pas 30 vjetësh nga kursant i shkollës ushtarake do të dilte një tjetër komandant i flotës së Detit të Zi, dhe disi më vonë, një zëvendëskryekomandant i parë i Forcave të Armatosura Detare të Bashkimit Sovjetik.


Dhe në vitin 1998, zëvendëskryekomandant i parë i flotës luftarake-detare, admirali Igor Vladimiroviç Kasatonov, vizitoi Muzeun Qendror luftarak-detar në Shën Petërburg dhe dorëzoi për ruajtje të përjetshme jataganët e dhënë për kujtim në Shqipëri.


Biografia e Vladimir Afanasjeviç Kasatanovit


Vladimir Afanasjeviç Kasatanov (1910 -1989) - ushtarak rus-sovjetik, admiral i flotës, hero i ish-Bashkimit Sovjetik.


Filloi shërbimin në flotën luftarake-detare sovjetike që nga viti 1927.


Që nga nëntori i vitit 1954 - Komandanti i Flotës së 8-të luftarake-detare (pjesa veriore e detit Balltik), nga dhjetori i vitit 1955 - Komandanti i flotës së Detit të Zi, dhe nga shkurti i vitit 1962 - komandant i flotës Veriore.


Nga qershori i vitit 1964 - zëvendëskryekomandant i parë i Forcave të Armatosura Detare të Bashkimit Sovjetik dhe anëtar i Këshillit Ushtarak të flotës luftarake-detare të BRSS.


Në vitin 1966, me cilësinë e kryekomandantit, mori pjesë në lundrimin e parë në historinë e flotës luftarake-detare rreth botës të nëndetëseve bërthamore, gjë për të cilën u nderua me titullin Hero i Bashkimit Sovjetik.


Nga shtatori i vitit 1974 - Këshilltar-inspektor ushtarak i Grupit të Përgjithshëm të inspektorëve të ministrisë së mbrojtjes së BRSS.


Jetoi dhe vdiq në Moskë. Prehet në varrezat "Novodeviçje" të Moskës.
Deputet i Sovjetit Suprem të BRSS (sot Duma-parlamenti) në legjislaturat V-IX.
Biri - Igor Vladimiroviç Kasatonov është admiral.


Enver Hoxha në librin "Hrushovianët" për Kasatonovin


"Erdhi pas tyre në Tiranë komandanti i flotës së Detit të Zi, admirali Kasatonov, me misionin që të rrëmbente jo vetëm 8 nëndetëset dhe bazën lundruese me ekuipazh sovjetik, të cilat edhe këto qenë pronë e shtetit shqiptar, por edhe nëndetëset që ne i kishim marrë në dorëzim më parë.


I thamë këtij prerë: Ose do të na i dorëzoni nëndetëset sipas marrëveshjes, ose brenda një kohe të shkurtër (i caktuam afatin) të largoheni menjëherë nga gjiri, vetëm me anijet që shërbehen nga ekuipazhet tuaja. Ju po shkelni marrëveshjen, ju po na grabitni nëndetëset tona dhe do ta paguani këtë qëndrim.


Admirali u përpëlit, u përpoq të na zbuste, por më kot. Ai nuk i dorëzoi nëndetëset, por shkoi në Vlorë, hipi në nëndetësen-komandë dhe i rreshtoi të tjerat në formacion lufte.


Ne dhamë urdhër të zihej ngushtica e Sazanit dhe të ngriheshin topat në drejtim të anijeve sovjetike. Admirali Kasatonov që deshi të na trembte, u tmerrua. Ishte zënë si miu në dhokan dhe, po të tentonte të vinte në zbatim planin e tij, mund të gjendej në fund të detit.


Në këto kushte admirali u detyrua të merrte vetëm nëndetëset me ekuipazh sovjetik dhe me bisht në shalë doli nga gjiri e u nis për andej nga kishte ardhur. Nga toka jonë u shporr një herë e mirë një e keqe e madhe".


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›