E Diel, 1 Nëntor 2026

Kutitë, PS: Kërkesa jonë legjitime, Berisha i vetmi refuzues

Selia rozë, apel për transparencë. LSI: Kushtetuta ofron hapësira për kompromise


Partia Socialiste ripërsëriti dje kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në një komunikim për mediat nga selia rozë, deputeti socialist, Besnik Baraj, tha se ka vetëm një njeri që refuzon prej gati 1 viti, jo vetëm kërkesat e opozitës, por edhe të tërë faktorëve të BE, përfshirë të majtët e të djathtët. "Ky është Sali Berisha.


Kërkesa është krejt legjitime, e thjeshtë dhe logjike për njerëzit normal. Duam të gjithë të mbyllim etapën e dhimbshme, shpesh tragjike të tranzicionit Shqiptar, duam t'i heqim mundësinë politikanëve të qëndrojnë në pushtet kur populli nuk i voton ata", deklaroi Baraj.


Sipas tij, Sali Berisha nuk bën hapat e duhura për të provuar sa i ndershëm është. Zyrtari socialist tha gjithashtu se Kryeministri ndodhet në pozitat e një vjedhësi që refuzon të tregojë e provojë pafajësinë e tij përpara gjykatësit popull.


Për socialistët, kjo gjë është e papranueshme për një vend me standarde demokracie. "Është kjo arsyeja që si Doul ashtu dhe Shultz i kërkuan Berishës hapa kompromisi, që, e theksojmë, u pranuan nga PS dhe Rama.


Është vetëm Berisha që nuk i pranon, ai që nuk pranonte kompromis as në '97-ën, që dogji kryeministrinë në '98-ën, që është përgjegjës për Gërdecin, për abuzimet e mëdha financiare në këto 5 vjet", nënvizoi deputeti socialist.


Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim, parti e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, vlerëson se Kushtetuta ofron hapësira për kompromise.


Në emër të kësaj partie, sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama, theksoi se këmbëngulja e ndërkombëtarëve dhe investimi i tyre i vazhdueshëm dhe mosreshtja duke apeluar që palët politike në Shqipëri të gjejnë një zgjidhje është padyshim edhe ajo çfarë duhet të bëjnë aktorët politikë.


"Hapësirat për kompromis janë, por që të shohim këto hapësira duhet të kuptojmë se në një shtet të së drejtës, demokratik dhe ligjor, çdo gjë fillon dhe mbaron me respektimin e Kushtetutës", - nënvizoi zyrtari i LSI.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›