Qëllon me sëpatë nxënësin në mes të klasës

Arrestohet 71-vjeçari në Korçë, kërkoi të hakmerrej pasi i mituri e fyeu.
Hyn me sëpatë në shkollë dhe qëllon për të vrarë nxënësin 13-vjeçar të shkollës “Nuçi Naçi” në Korçë. Vetëm fati ka qenë me të miturin, i cili ka shpëtuar paq prej goditjes së Përparim Beqirajt, 71 vjeç. I moshuari arriti të depërtonte brenda ambienteve të shkollës, në shenjë hakmarrjeje për një fjalë që djali, nxënës i klasës së gjashtë, i kishte lëshuar nga oborri i shkollës, shkruan panorama. Ngjarja ka ndodhur në orën e fundit të mësimit në shkollën 9-vjeçare, teksa autori ka hyrë në ambientet e shkollës dhe ka goditur me sëpatë në këmbë 13- vjeçarin Andon T.
Sipas të dhënave, fëmija nuk ka marrë dëmtime nga ky sulm pasi ka arritur t’i shmanget agresorit. Pak çaste më vonë është identifikuar dhe arrestuar si autori i ngjarjes 71-vjeçari Beqiraj, lindur në Pirg dhe banor i lagjes 5 në Korçë. Sipas Policisë, agresori dyshohet të ketë qenë i dehur dhe në kushtet e depresionit, por sipas dëshmitarëve të ngjarjes, mes nxënësit dhe atij ka pasur një grindje të mëparshme.
Të dhënat flasin se, mes djaloshit 13-vjeçar dhe të moshuarit ka pasur një debat gjatë pushimit të madh kur edhe fëmijët kanë qenë duke luajtur në oborrin e shkollës. Shkak i grindjes mësohet të ketë qenë një koment nga ana e të moshuarit, i cili i ka cilësuar fëmijët si të paedukuar. 13-vjeçari pohohet se ka reaguar ndaj këtij komenti të të moshuarit dhe pasi kanë replikuar me njëritjetrin, ai ka arritur deri në fyerje.
Pasi ka përfunduar pushimi, fëmijët janë kthyer në mësim, ndërsa 71- vjeçari mesa duket nuk ka mundur ta tolerojë fyerjen nga ana e të miturit, ndaj dhe ka shkuar në shkollë përsëri, por këtë herë kishte fshehur edhe sëpatën poshtë xhaketës që mbante veshur.
Ai i është prezantuar rojës së shkollës si prindi i njërit prej fëmijëve dhe i ka kërkuar që të takonte drejtorin. Pasi roja e ka shoqëruar te zyra e drejtorit, mësohet se i moshuari i ka treguar atij ndodhinë me nxënësin, duke e komentuar si të pafalshme që brezi i fëmijëve të ketë një edukatë të tillë.
Pasi ka biseduar me drejtorin, ai ka dalë nga zyra e këtij të fundit dhe i ka thënë se do të largohej me shpresën që drejtori do të kritikonte sjelljen e nxënësve. Por, pasi ka dalë nga zyra e drejtorit, i moshuari nuk është mjaftuar me kaq dhe ka shkuar në klasën e 13-vjeçarit për t’u hakmarrë personalisht ndaj tij. Ai ka përfituar nga fakti që nxënësit, rreth 20, ishin vetëm, pasi mësuesja e lëndës kishte lëvizur në një klasë tjetër.
Autori: Djali më shau
“Ai djali më shau pa pasur asnjë fije turp. Një fëmijë që më fyen dhe gjithë fëmijët e tjerë që qeshnin me mua. Nuk ka më respekt as për të moshuarit e as për të rriturit. Nuk e tolerova dot diçka të tillë dhe shkova të bisedoj me drejtorin. Premtimet e tij për të kritikuar atë djalin mu dukën boshe ndaj mendova se mund ta frikësoj vetë. Absolutisht nuk doja t’i bëja gjë të keqe, thjesht t’i tregoja që nuk mund të sillet ashtu”./Indeksonline/