Khan me video-link interviston dëshmitarin 'A'

(E plotësuar) Ekipi mbrojtës i Fatmir Limaj i ka bërë kërkesë trupit gjykues që avokati mbrojtës i Limajt, Karim Khan, të marrë në pyetje dëshmitarin Sokol Dobruna, të njohur si dëshmitari ‘A’, bëjnë të ditur burime të standardi.info brenda gjykimit në rastin ‘Kleçka’.
Kjo procedurë do të duhej të zhvillohej në ora 14:00 përmes video konferencës, për shkak se avokati Khan nuk gjendet në Kosovë. Pritet që shumë shpejt gjykata të marrë vendim për këtë kërkesë të palës mbrojtëse.
.............................
Edhe sot vazhdon procesi gjyqësor për rastin “Kleçka”. Sokol Dobruna, i njohur si dëshmitari ‘A’, në seancën e sotme gjyqësore do të përgjigjet në pyetjet e avokatëve të Fatmir Limajt dhe të tjerëve.
Ish-shefi i shërbimit juridik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sokol Dobruna, i njohur si dëshmitari ‘A’, të martën ka filluar ta japë dëshminë e tij lidhur me rastin “Kleçka”, në të cilin janë të akuzuar ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.
Avokatët mbrojtës e kanë vlerësuar të sinqertë dëshminë e dëshmitarit Sokol Dobruna. Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i Fatmir Limajt, ka thënë se dëshmia e Dobrunës vërteton se Limaj nuk mban përgjegjësi për akuzat të cilat janë të ngarkuara nga prokurori Salustro, shkruan Epoka e Re.
Qysh në fillim të dhënies së dëshmisë Dobruna ka kërkuar t’i bëhet publik identiteti i tij dhe ka deklaruar para trupit gjykues si dhe të pranishmeve se nuk dëshiron të jetë dëshmitar i prokurorisë. “Nuk pranoj të jem dëshmitar i prokurorisë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të përgjigjem në të gjitha pyetjet që do të më parashtrohen nga prokurori”, ka thënë Dobruna. /Indeksonline/