E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendër-Mallakastër, 11 shtëpi shemben nga rrëshqitja e dherave

Të tjera rreth shkrimit Elbasan, 100 familje "pluskojnë"/FOTO MALLAKASTËR - Rrëshqitja e dheut ka bërë që një lagje prej 15 shtëpish të shkatërrohet plotësisht. Ngjarja ka ndodhur në një lagje të fshatit Ngraçije të komunës Qëndër Mallakastër rreth orës 1.30 minuta.

Fillimisht janë dëgjuar lëkundje nga një kodër që rrethonte këtë fshat e për pak sekonda lagjia është thithur nga toka dhe nuk dukej më, ndërkohë lëkundjet janë ndjerë edhe në zonat e banuara, duke alarmuar banorët. Ata kanë dalë me shpejtësi jashtë. Rrugët e çara të fshatit të japin një pamje rrënqethëse.

Banorët e kanë gdhirë gjithë natën jashtë, ndërsa mëngjesin e sotëm, me shpejtësi kanë nxjerrë ato plaçka që kishin, jashtë banesës së tyre me frikën e shembjes së shtëpive. Edhe sot ndjehen lëkundje të lehta të tokës. 80 ha janë përfshirë nga shembjet, duke e bërë kështu këtë zonë të pabanueshme. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë ardhur kreu i komunës si dhe drejtori i Policisë së Qarkut Fier e forca të shumta të ndërhyrjes së shpejtë.

Banorët, me lot në sy, para kamerës, u shprehën të shqetësuar për të ardhmen e tyre. “Kemi punuar një jetë të tërë për të ndërtuar këto shtëpi”,- thanë ata, - “dhe sot jemi në mëshirë të fatit”.

Ndërsa, kryetari i komunës Qendër, Agron Kapllanaj, shprehet se në këtë situatë kanë bërë evakuimin e banorëve, duke i sistemuar në një hotel dhe falenderon forcat e rendit, drejtorin e Policisë, që ka ardhur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është në gadishmëri. “Për fat të mirë”, - tha ai, - “ nuk ka viktima, vetëm dëme materiale; 11 banesa janë të pabanueshme.

Këtë rrëshqitje dheu, kryekomunari e krahason me një shpërthim vullkani; toka ka ikur 30-40 m thellë dhe ende vazhdon rrëshqitja. Ndaj, për këtë situatë janë njoftuar strukturat e qeverisë. Për të parë gjendjen nga afër, kanë ardhur edhe ministri i Brendshem Noka dhe ai i Transportit, Olldashi.  Ministri Noka tha se do të ngrihet një komision për t'i dhënë zgjidhje, çështjes, pasi situata është problematike.

(ar.sh/sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›