Qendra Shëndetësore Shënkoll, shërbim logopedie të specializuar për pacientët

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Në Qendrën Shëndetësore Shënkoll në Lezhë, logopedia Pamela Keqi ofron shërbime të specializuara për pacientët, duke kontribuar në përmirësimin e kujdesit shëndetësor në komunitet.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informon se Keqi iu bashkua ekipit mjekësor përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”, përmes një procesi konkurrues që garanton meritokraci.
Keqi shprehet se “lajmërimin për vendet vakante dhe procesin e aplikimit e kam ndjekur përmes faqes së Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH)”.
“Pas dorëzimit dhe vlerësimit të dosjes, kam marrë pjesë në provimin e portalit, ku jam shpallur fituese. Në vijim të procesit, jam emëruar nga Drejtoria e OSHKSH-së. Integrimi i logopedisë në kujdesin parësor përbën një zhvillim strategjik që mundëson identifikimin e hershëm dhe efikas të patologjive që kërkojnë trajtim logopedik, përmes një qasjeje multidisiplinare”, tha ajo, ndërsa theksoi se ky shërbim rrit aksesueshmërinë dhe standardin shëndetësor, duke mundësuar një ndërhyrje klinike të suksesshme dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës për pacientët.
Më herët, MShMS njoftoi se në tremujorin e parë të 2026, janë punësuar 335 profesionistë të shkencave mjekësore teknike në rang vendi.
Procesi i punësimit nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” vijon të garantojë transparencë dhe meritokraci, duke forcuar çdo ditë sistemin shëndetësor me profesionistë të rinj dhe të përkushtuar.
Platforma “Infermierë për Shqipërinë” e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e qytetarëve.
/e.i/