Qendra e Kontrollit të Trafikut, Berisha: Shndërrim njerëzor kryeqytetit
Tiranë- Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha së bashku me kryeministrin e vendit inaguruan ngritjen e Qendrës së Kontrollit të Trafikut Urban në kryeqytet.
Kryeministri Berisha vlerësoi punën e Bashkisë së Tiranës: “Bashkia e Tiranës po i bën një shndërrim njerëzor kryeqytetit”,- tha Berisha.
Ndërsa “Ndotja e ajrit në sheshin e kryeqytetit dhe tek 21 dhjetori tejkalonin 2 herë, 3 herë çdo lloj limiti, dhe kalonin në nivelet e rrezikut dhe kërcënimit më maksimal. Kjo nuk është më, aparaturat sot tregojnë se qytetarët e këtij qyteti thithin ajër të standardeve dhe normave njëlloj si në qytetet miqësore ndaj mjedisit. Me guxim me një grup arkitektësh, urbanistësh të rinj , kryetari Basha transformoi sheshin Skënderbej”,- tha kryeministri.
Në fjalën e tij, Basha tha se ky projekt do të shërbejë për zgjidhjen e trafikut si një nga problemet më të mëdha në Tiranë.
Basha e cilësoi si një nga qendrat më moderne në rajon projektin, për të cilin tha se është përdorur teknologjia më e avancuar për të bërë të mundur kontrollin direkt të trafikut me kamera e semaforë të komanduar.
Trafiku është përgjegjës për humbje kohe, humbje durimi dhe nervash, shpenzime të kota. Që në ditët e para Bashkia e Tiranës e ka konsideruar këtë si një problem madhor dhe ka hartuar një plan masash për ta zgjidhur atë. Eficenca maksimale e semaforëve do të bëjë të mundur që trafiku të menaxhohet më mirë. Falënderoj kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij, sepse ne sot jemi në prag të investimeve madhore.- tha Basha.
Teksa kërkoi edhe votën e qytetarëve në 23 qershor në emër të qeverisë, për të shndërrruar siç tha ai, Tiranën në një qytet modern evropian.
Jemi në transformim rrënjësor të infrastrukturës së qytetit, për ta bërë Tiranën qytet modern ashtu si e meriton. Për këtë na duhet mbështetja e qeverisë dhe mbështetja juaj që me votën tuaj të mundësoni vazhdimin e këtyre projekteve që kemi nisur. Me votën tuaj në 23 qershor bëni të mundur që ky bashkëinvestim të vazhdojë. - tha Basha.
Vlera e projektit është 2.3 milion $ sipas marrëveshjes së Nën-Huasë 8.2 Milion Euro midis Ministrisë së Financave dhe Bashkisë së Tiranës, nga të cilat 5.9 Milion Euro janë kontraktuar më parë.