Qendra muzeore e Ndre Mjedës, shtëpia Muze dhe Kisha shquhen për detajet autentike

Kukli është një fshat i vogël ndërmjet Lezhës e Shkodrës. Në të gjendet kisha dhe Shtëpia Muze e një prej personazheve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, Ndre Mjedës. Qendra Muzeore shquhet për elementët dhe detajet autentikë në përbërje të saj. Tryeza e poetit lirik është një prej tyre.
“Muzeu, i cili është i ndërtuar me disa elementë nga koha dhe jeta e tij më pas, në qendër të vëmendjes ka tryezën e Ndre Mjedës, ku janë shkruar veprat e tij në këtë tryezë”, tha Dom Nike Ukgjini, përgjegjës i Qendrës Muzeore të Ndre Mjedës.
Qendra Muzeore e Ndre Mjedës qëndron e hapur çdo ditë të vitit. Grupet e organizuara të shkollave nga vendi dhe Kosova janë më të interesuar për ta parë nga afër.
“Muzeun e vizitojnë shumë njerëz nga Kosova, studentë, me grupe, me studiues”, tha Pashko Gjonaj, kujdestar i Qendrës Muzeore të Ndre Mjedës.
Çdo vit, që nga 2011, në këtë qendër organizohen takimet mbarëkombëtare “Ditët e Mjedës”, me poetë dhe studiues nga i gjithë vendi.
/RTSH/