Qenkemi popull i majtë! I ç’lloj të majte?
Çe Guevara në plazhin e Durrësit
Është një muhabet kafenesh. Madje i shtruar keq. Sepse të majtë ne s’kemi. Edhe ajo e majtë që mund të quhej socialdemokratja e Musine Kokalarit, u quajt reaksionare dhe u shua me martirizimin e Musinesë! Ajo e ashtuquajtur e majtë, nuk është veçse e majta me frymëzim diktatorial. Më shkurt: E majta enveriste. Quaje, po deshe, edhe e majta staliniste. Se Enveri ishte stalinist i vetëdeklaruar. Më shumë se gjysmë shekulli pas destalinizimit, ne e ruajtëm figurën e Stalinit. Së paku, në statuja, me që Stalinit i doli boja si antishqiptar. E majta europiane e shkëputi nga radhët e saj të majtën internacionaliste, që u kufizua vetëm në tri parti, përkundrejt partive të shumta, që përbëjnë të Majtën Progresiste. Në të Majtën Internacionaliste mbetën partia e Papandreut, Partia e Ajalës dhe PS-ja e Edi Ramës.
Në atë kafene të plazhit të Durrësit, të cilën e cekëm në fillim, ishin në një tavolinë dy të djathtë dhe tre të majtë të Ramës, ose enveristë. Kishin qenë shokë rinie dhe ndonjëherë mblidheshin bashkë, secili në mendimin e vet. Ai që njihja më mirë prej të djathtëve, më tregoi për muhabetet e asaj tavoline. “Njëri prej ‘të majtëve’ kishte një djalë në SHBA, tjetrin në Kanada. Djemtë nuk ishin keq ekonomikisht dhe i dërgonin të atit pensionist, valutë herë pas here. Dhe i ati kapardisej më shumë, si në gjendje me të mirë. Por i djatht tjetër ia prishi pak humorin me këtë pyetje: - Përse s’vajtën te Fidel Kastroja, në Kubë, por shkuan tek armiqtë e kohës së Dullës?
Muhabeti paskësh qenë thartuar disi, ndonëse e kishin marrë atë ndërhyrjen, si me humor. Por, duke iu larguar muhabeteve të kafeneve, çështja është më serioze. Te ne ka parti të majtë, jo popull të majtë. Duke përjashtuar nga diskursi partitë pa elektorat, si të dy PPSH-të, të dy PKSH-të, PDS-në, PSD-në e ndonjë tjetër vocërrake, partia e Edi Ramës që i pranoi në koalicionin e saj këto parti sa për ‘ornament’, është një parti që e kishte pas ndërruar emrin e saj nga Parti e Punës, në Parti Socialiste. Djallit nuk duhej t’i shiheshin kthetrat! Mori, fillimisht, si për ‘kamuflazh’ emrin e partisë së Betino Kraksit. Madje edhe emrin e partisë së Markoviçit, së shoqes së Sllobodan Millosheviçit. Por Kraksit nuk i vajti për mbarë ky bashkim emrash, në Itali. Ai farë socialisti e kishte mbushur aq përplot kupën e korrupsionit, sa u detyrua, për t’i shpëtuar burgut, t’ia mbathtë për në një shtet mirëpritës të Afrikës së Veriut, duke e lënë batall PS-në italiane. Tani i mbeti vetëm partia e Miriana Markoviçit e cila, falë lidhjeve të forta me Rusinë e para dhe pas Stalinit, arriti që të merrte 30 % të votave, edhe në prag të vdekjes së Sllobodanit, në Gjyqin e Hagës, si kriminel lufte. Kështu u arrit që t’i bëhej një varrim i bujshëm kriminelit Millosheviç, në prag të dhënies së një dënimi shembullor!
Ky paradoks historik i çoi historianët demokratë që të pranojnë jo vetëm një individ si despotik, por edhe një pjesë të rëndësishme të popullit, me shpëlarje të trurit nga regjimet totalitariste (Individë të tillë ishin Lenini, Stalini, Mao Ce Duni, Sllobodan Millosheviçi, Enver Hoxha, Pol Poti, Hitleri, Musolini). Destalinizimi u bë thuajse kudo, me fare pak përjashtime. Por përjashtimi më spektakolar qé ai i E.H.-s. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, që nuk i fshiu nga piedestali statujat e Stalinit, ndërsa partitë europiane staliniste, e shuan nga defteri Stalinin dhe mbajtën qëndrimin e ri antitotalitarist. E këtë gjendje të re staliniste, këtë kolerë të kuqe, né e vuajtëm mbi kurriz edhe për 1/3-n e shekullit plus, me pasoja katastrofike izolimi dhe mjerimi, gjer në radhët e gjata për të marrë ato kaloritë e mbijetesës, shpesh edhe në mbylljen e radhës andej nga sabahu, duke i lënë fëmijët pa qumësht! Është pak. Duhej pranuar, për më tepër, edhe ekonomia “e lulëzuar”, që i trallisi ata miqtë e Fosko Dinuçit gjer në Amerikën Latine, që të na jepnin edhe diploma... mirëqenieje! Këtej mund të përftohet një përkufizim monstruoz i enverizmit dhe i personit vetë që i jep emrin këtij nocioni, domethënë i Enverit. Në këto 33 vite plus, Enveri dhe Ramizi ngritën një shtresë të tërë keqbërësish, që u ngarkuan me faje e mëkate të thershme duke ndëshkuar, qoftë edhe të pafajshmit, me pranim akuzash fantazmagorike, përkundrejt torturash të papërballueshme. Këta, natyrisht, gëzonin privilegjet e një regjimi gjakatar. Këta ishin edhe pararoja e 1997-s, me anën e së cilës e shtuan edhe më tepër pasurinë e tyre të afarizmit të kuq dhe të një pjese jo të vogël të të ashtuquajturit “pronari i ri”, diametralisht i kundërt me pronarin e ligjshëm. Për këta u përpilua Rezoluta e Asamblesë Kombëtare të BE-së , për ndëshkimin e krimeve të komunizmit. Kush ishte e interesuar, pra, që të mos jetësohej ligji i lustracionit? Përgjigjja del vetiu prej një pyetjeje tjetër. Ku kanë zënë vend këta të përgjegjshëm për veprimtarinë gjatë diktaturës? Në partinë e të ndjerit Hysni Milloshi? Në partinë e të katër partive komuniste, dy me emrin e PK-së (P.Komuniste), dy të tjerat me emrin e PP-së (Partisë së Punës?). Në partinë pa elektorat të P. Milos, që na nxori edhe foton e E.H.-s, brenda ambienteve të Institucionit që drejtohej prej tij, me anë të parlamentit të bollshëm të domeneve, pas kryengritjes së vonuar, sipas shprehjes së R. Qosjes, të cilit i kishte dështuar “Pajtimi Kombëtar” grotesk në sofrën ku ish-të përndjekurit politikë që do të shpallnin faljen, duhej të zinin bishtin e tavolinës, ndërsa përfaqësuesit e mëkatarëve nuk do të bejendisnin të kërkonin ndjesë për krimet e komunizmit? Ata, mëkatarët, assesi nuk iu përngjitën partive pa elektorat. Ata janë bash aty, në PS-në e Edi Ramës! Këtë e akuzoi edhe H. Milloshi, që e tha troç se votat ia kishte vjedhur Edi Rama, jo Sali Berisha. E akuzoi edhe në zgjedhjet e fundit, në ato të 23 qershorit, njëri nga titullarët e partive komuniste, për fytyrë të dyfishte se, édhe i kishte pranuar në koalicion, édhe – nga ana tjetër, - mëtonte që të votonin për 29-n, domethënë për partinë e Ramës! E ky i fundit na doli edhe blof në atë “na i vodhën votat”, ndërsa na doli edhe aty-aty me votat që kishte marrë më parë, por edhe me ndërhyrjet për t’i dhënë një mandat të pamerituar B. Topit. Me sherr e me rrahje numëruesish, madje!
E kjo nuk ishte një befasí kur Rama bëri atë kapërcimin rokambolesk nga antikomunizmi në komunizëm. Për të qenë më të saktë: Nga antikomunizmi i ‘zjarrtë’, në komunizmin ekstremist! Nga orgjitë e Pezës e deri te frymëzimet për ringritjen e monumentit të E. Hoxhës! E. Rama është përgjegjës edhe për konsolidimin e ideologjisë së diktaturës enveriste, që indoktrinimi i vjetërsirave të jetë i pranishëm në jetën tonë të përditshme.
***
Po marrim për krahasim Stalinin, Enverin dhe Fidel Kastron. Që të tre kanë tipare të njëjta, në faktin se nuk i durojnë rivalët në partinë e tyre. Viktimat janë ata ta cilët u bënin hije, që kishin popullaritet dhe që mund të ishin kandidatë për t’u zënë vendin! Stalini e ndjente se Kirovi ishte më elokuent, më i ditur dhe më me popullaritet në disa qarqe të rëndësishme (në Leningrad, për shembull). Stalini e vrau tinëzisht Kirovin dhe bëri masakra të mëdha, kinse ndaj terroristëve. Enveri, a mund të duronte një person si Qemal Stafa? Ish-e fejuara e tij e akuzon, për vrasje me anë të denoncimit të vendit ku fshihej Qemali! Po ashtu edhe Fidel Kastro veproi me Çe Guevarën. Ne do të merremi me këtë rastin e fundit. Ekziston një bibliografi e jashtëzakonshme autorësh, me të njëjtin mendim se Fideli donte ta hiqte qafe Çe-në. Prandaj po përmbledhim shkurt marrëdhëniet e këtyre. Çe Guevara u manipulua nga udhëheqësi i tij, Fidel Kastro. Po ashtu né shohim te Gevara komandantin e një burgu, i cili ka mbikëqyrur dhe ka kontrolluar me një zell të tepruar qindra ekzekutime me vdekje; një ministër që nuk diti të zgjidhë problemet ekonomike të vendit të tij të adaptuar dhe, sidomos, një guerilas i cili, pasi u kthye rishtazi në klandestinitet, dështoi në luftërat kryengritëse, qoftë në Kongo apo edhe në Boliví, vend në të cilin u vra, në vitin 1967. Ishte argjentinas. Është mishërimi i përkryer i revolucionarit apo, përkundrejt amerikanëve, edhe një aventurier: “Të ndezim dy, tri, shumë Vjetname”.
Si komandant i garnizoni të Kabanjës ai mbikëqyrte drejtpërdrejt vdekjen e afërsisht dyqind kundërshtarëve, me arsyetimin se “ekzekutimet janë jo vetëm një nevojë për popullin e Kubës, por edhe një detyrë e vendosur nga populli”. Jacobo Machover-it, kryekonferencier ne universitetin e Avinjonit, shkruan, për të argumentuar në tri leksione, sesi mund të rrënohet një vend. Gevara u ngarkua, së pari, për t’u marrë me reformën agrare e u bë, fill pas kësaj, ministër i Bujqësisë, i Industrisë, i Punës, duke qenë edhe drejtor i Bankës kombëtare. Gevara u orvat që ta nxirrte Kubën nga monokultura e kallamit të sheqerit. Por ai dështoi në të gjitha këto fusha dhe teoritë ekonomike të tij u dëshmuan të gabuara. Vincent Bloch, doktor i shkollës së studimeve të larta sociale, shkruan: - Ai do të shihte, më tej dukurinë e “njeriut të ri”. E quajti Çe Gevarën “Komandanti i luftërave të humbura”. Gevara nuk e ndjen veten të prerë për rolin e Njëshit. Kjo qëlloi për mirë. Sepse Kastro i ka tmerr rivalët e mundshëm...
Si ministër i Kastros, ai u nis për të kërkuar ndihmë në Moskë dhe u kthye me dhënien e një ndihme teknike. Çështja e raketave bërthamore i vuri thuajse në përleshje të dy K-të. Amerikani Kenedi ia doli që të mposhtte sovjetikun Krushov. Diplomati “Gevara”, që ishte i gatshëm të ndizej zjarri atomik, nuk e pranoi kurrë tërheqjen e Moskës. Si elektron i lirë që ishte, tashmë, iu përvesh me ashpërsi të madhe Bashkimit Sovjetik në mbledhjen në nivel të lartë të Algjerit, duke e vënë edhe Fidel Kastron në gjendje të vështirë. I etur për të përçuar revolucionin jashtë Kubës dështoi më parë në Kongo, ku synoi të hakmerrej për vrasjen e Patris Lulumbës, pastaj në Bolivi, ku u tradhtua nga ata që mëtonte të çlironte, nga vetë fshatarët! Më 9 tetor 1967, Gevara plagoset dhe zihet rob. Ai vritet nga një reshter i renxhërs-ve (policisë kalorësiake) bolivianë. Është një përfundim fatal, që i shkon mjaft për shtat aferave të Kastros.
***
Për sa i përket F. Kastros, vendi i tij sot është etalon krahasimi i vendeve të përparuara dhe vendit të tij në mjerim ekonomik. Ai vetë është sot njëri ndër individët më të pasur të kontinentit. Por ja që pasuria nuk të vlen për asgjë, kur je pranë vdekjes. Kështu që tani duket se do të trashëgojë një pasuri përrallore i vëllai i tij, Raul Kastro. Është ky që e prezantoi fillimisht me Gevarën. Sa për aktet kriminale, kur Fideli kishte këllqe, që të dy ishin në garë kush të vriste më shumë. Por Çe-ja ishte i gatshëm që të përballte edhe një luftë atomike! Në antiamerikanizmin e tij Gevara ia kalonte Fidelit dhe kishte fituar simpatinë e militantëve trushkulur. Këtu u bë i rrezikshëm për Shefin. Dhe, siç e pamë, ky i fundit ia gjeti anën ta eliminonte. Si mund ta përkufizojmë, shkurtimisht, Çe Guevarën? Si një antiamerikan aventurier dhe si një kriminel të pamëshirshëm. Atëherë si shpjegohet që një lokal, në një pallat ndërmjet “Adriatikut” dhe “Ilirisë”, fare pranë pistës së madhe (të ish-Vefës?), i ka mbushur të gjitha muret me fotot në kornizë të guerilasit. Nuk mungojnë edhe beretat e tij me yll të kuq dhe me parulla revolucionare në muret e fasadës përballë detit dhe në ato të fasadës së prapme. Në gjuhën kubane, kuptohet! Nuk mungojnë as trushkulurit tanë të habitur, që i shohin një për një të gjitha ato foto që s’i kuptojnë fotot, por që janë në përkitje me antiamerikanizmin e tyre vetjak! Propaganda e hershme enveriste antiamerikane është në eferveshencë! E përkrahur edhe nga pensionistë, ish-politikanë të dikurshëm, si z. Uithers!