E Enjte, 5 Nëntor 2026

Qerimaj: I lumtur me ndryshimin e peshës

Keqardhje, por edhe kënaqësi për atë që ka arritur në Botërorin e Peshëngritjes. Me 153 kg në stilin e shkëputjes, teksa është renditur i 4-ti, por edhe i katërti në shtytje me 180 kg, Erkand Qerimaj, e ka mbyllur po i katërti në dygarësh me 333 kilogram. Dhe duke folur të premten në mbrëmje vonë nga aeroporti i kryeqytetit të Uzbekistanit, posaçërisht për RTSH Sport para kthimit për në Tiranë, Qerimaj ka rrëfyer edhe emocionet e garës.

“Jam shumë i kënaqur me rezultatin e arritur, vendin e katërt në Botë.Ishte një arritje shumë e madhe, dola baraz me vendin e tretë me 153 kg, por fati nuk deshi, pasi kundërshtari rus e ngriti përpara peshën, por dola baraz me vendin e tretë në Botë”, ka deklaruar Qerimaj

Peshëngritësi shkodran ka qenë mjaft i kënaqur edhe me vendimin për të ndërruar kategorinë e peshës trupore, duke zbritur nga ajo e 81 kg në atë të 73 kg.

“Ndryshimi i peshës, që kam rënë 8 kg që nga Olimpiada rezultoi një sukses dhe jam shumë I kënaqur me këtë arritje, vendin e katërt”

Përfundimisht, një paraqitje e mirë e Erkand Qerimajt në këtë Botëror, që i shtohet asaj të Briken Caljes po në këtë kategori peshe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›