Qerimaj, kampion dhe rekord mesdhetarPeshëngritësi shkodran i dhuroi Shqipërisë medaljen e dytë të artë. 200 gramë më shumë se egjiptiani Abdelaki i hoqën Erkandit të artën e dytë

Peshëngritja meriton respektin maksimal në sportin tonë, pasi sërish “boshti” shqiptar ia doli t’i dhurojë një tjetër medalje të artë, të shoqëruar po me rekord mesdhetar në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”. Është kampioni shkodran Erkand Qerimaj ai që çoi në kulmin e podiumit flamurin shqiptar, duke i sjellë medaljen e dytë të artë, pas asaj të Romela Begajt, ditën e shtunë në peshën 58 kg për femra. 20-vjeçari Qerimaj (mbush 21 vjeç, më 10 gusht), i cili garoi në kategorinë e peshës 77 kg për meshkuj, ngriti në stilin shkëputjes fillimisht në provën e parë 147 kg, ndërkohë që vazhdoi me të dytën në 152 kg. Në provën e tretë në dispozicion Erkandi nuk fali, por e ngriti shtangën në peshën rekord: 157 kg, duke fituar medaljen e artë, por duke vendosur edhe një rekord të ri në Lojërat Olimpike të Mesdheut. Vendin e dytë në stilin e shkëputjes e zuri egjiptiani Tarek Abdelazim me 155 kg, ndërsa të tretin turku Semih Jagçi me 154 kg. Në stilin e shytjes, vetëm 200 gramë më shumë sesa egjiptiani Ibrahim Abdelaki, i hoqën të drejtën Erkand Qerimaj të shijonte medaljen e dytë të artë, pasi si egjiptiani ashtu dhe Erkandi e ngritën peshën në 193 kg. Erkandi peshon 76.79 kg, ndërsa egjiptiani 76.59 kg. Gjithsesi, Qerimaj edhe në këtë stil nuk doli pa medalje, pasi fitoi atë të argjendtë. Të shtunën, peshëngritësja Romela Begaj, përpos medaljes së artë në stilin e shkëputjes në kategorinë e peshës 58 kg, vendosi edhe dy rekorde të njëpasnjëshme Mesdhetare: fillimisht, 92 kg, e më pas duke çuar shtangën në 95 kg. Ylli i shtangës shqiptare për femra, 22-vjeçarja Romela Begaj, e nisi garën në stilin e shkëputjes me 92 kg, duke shkuar më pas në ngritjen e dytë, në 95 kg (një tjetër rekord ky). Në provën e tretë peshëngritësja që trajnohet nga mjeshtri me përvojë të madhe kombëtare e ndërkombëtare, Hektor Shaqiri, dështoi të tentativën për të çuar 98 kg e për të vendosur një rekord të tretë mesdhetar. Një medalje ari Shqipëria nuk e fitonte në Lojërat Mesdhetare të “Latakia 1987”, aktivitet ku morëm pjesë për herë të parë e të kurorëzuar me 3 medalje ari. Në vend të dytë në këtë stil u rendit grekja Konstantina Lapu (92 kg) dhe në të tretin, turkja Ajlin Dasdelene (87 kg). Në këtë stil, peshëngritësja tjetër shqiptare, Fetije Kasaj, e cila u rikthye pas pezullimit dyvjeçar për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara, dështoi në tre provat, duke mos e kaluar peshën e shtangës 72 kg, e duke humbur kështu edhe mundësinë për të garuar në stilin e shtytjes.
Peshëngritësi Briken Calja fitoi medaljen e argjendit në stilin e shkëputjes në peshën 69 kg. Briken Calja ngriti 142 kg në stilin e shkëputjes në kategorinë 69 kg. Medaljen e artë në këtë stil e fitoi francezi Dabaya, i cili arrti të ngrinte 150 kg. Në stilin e shtytjes Calja ngriti 163 kg, po aq sa spanjolli i vendit të tretë Martin, i cili u rendit më mirë pasi kishte peshë trupore më të vogël. Calja u rendit në vendin e katërt. Sot në peshën 85 kg për meshkuj do të garojë peshëngritësi Ervis Tabaku, nënkampioni i botës për të rinj (hyn në garë me 355 kg) dhe Endri Haxhihyseni (hyn në garë me 350 kg). Në listën e gjyqtarëve është edhe shqiptari Përparim Ferunaj.
PESHËNGRITJE
Meshkuj, pesha 77 kg
Shkëputje
1. Erkand Qerimaj (Shqipëri) 156 kg
2. Tarek Abdelazim (Egjipt) 155 kg
3. Semih Jagçi (Turqi) 154 kg
Shtytje
1. Ibrahim Abdelaki (Egjipt) 193 kg
2. Erkand Qerimaj (Shqipëri)* 193 kg
3. Tarek Abdelazim (Egjipt) 188 kg
* Abdelaki 76.59 kg, Qerimaj 76.79 kg
Romela Begaj
Të shtunën, peshëngritësja Romela Begaj, përpos medaljes së artë në stilin e shkëputjes në kategorinë e peshës 58 kg, vendosi edhe dy rekorde të njëpasnjëshme Mesdhetare: fillimisht, 92 kg, e më pas duke çuar shtangën në 95 kg. Romela siguroi edhe një medalje të argjendtë.
Shqipëria, 5 medalje
Shqipëria ka siguruar deri tani 5 medalje në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”, nga këto dy janë të arta dhe tri janë të argjendta. Dy të artat ndahen në një për femra (Romela Begaj) dhe një për meshkuj (Erkand Qerimaj), ndërsa tre të argjendtat ndahen në një për femra (Romela Begaj) dhe dy për meshkuj (Erkand Qerimaj, Briken Calja).
Futboll U-20
Sot Spanjë-Shqipëri
Shqipëria U-20 do të luajë sot kundër Spanjës, ndeshjen e dytë dhe të fundit në Lojërat Mesdhetare. Në takimin e parë, atë kundër Tunizizë, përfaqësuesja jonë e drejtuar nga Artan Bushati humbi 2-1. Golin e vetëm të Shqipërisë e shënoi 19-vjeçari i talentuar i Flamurtarit, Ardit Shehaj.
Volejboll
Shqipëria humbet 3-2 me Bosnjën
Shqipëria e volejbollit për femra humbi 3-2 me përfaqësuesen e Bosnjës, në ndeshjen e parë të vlefshëm për grupin A për femra. Kombëtarja jonë e drejtuar nga Hasan Gurabardhi humbi setin e parë 15-25, fitoi të dytin 25-18, humbi sërish të tretin 19-25 dhe fitoi të katërtin 25-21. Në setin final, Shqipëria humbi 15-11. Shënuesja më e mirë për Shqipërinë ishte Ariola Prenga me 15 pikë
Basketboll
Na poshtëron edhe Italia
Pas shkatërrimit të turpshëm nga Kroacia (130-35) në ndeshjen e parë, Shqipëria e basketbollit për femra humbi thellësisht me Italinë 112-34, duke dëshmuar një nivel absolutisht të dobët të basketbollit tonë për femra në arenën ndërkombëtare. Periodat u ndanë në 25-9, 30-7, 32-9 dhe 25-9. Me kaq mbaroi edhe aventura e femrave në Lojërat Mesdhetare. Kombëtarja shqiptare e meshkujve humbi Italinë me rezultatin 103-65. Periodat u ndanë në 32-14, 32-15, 23-22 dhe 16-14, ku dy të fundit shfaqën edhe më shumë rivalitet. Të hënën, Shqipëria e meshkujve do të ketë përballë Turqinë, ndërsa të martën me Malin e Zi.
E Hene, 29 Qershor 2009