Qershia mbi tortë
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është e gatshme të zbresë në fushën e blertë për ta zhvilluar miqësoren ndaj Renovës, takim ky që zhvillohet të dielën prej orës 15:00 në stadiumin e Prishtinës.
Reprezentacioni kosovar grumbullimin e ka bërë të premten paradite në kryeqytet, dhe vetëm disa orë më vonë e ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në stadiumin ‘Agron Rama’ në Kastriot. Po në Kastriot, reprezentuesit kosovarë e kanë zhvilluar edhe një seancë tjetër stërvitore të shtunën pasdite.
Ndërsa, të dielën në kryeqytet, vetëm disa orë para fillimit të miqësores ndaj ekipit shqiptar nga Maqedonia, të përzgjedhurit e selektorit Albert Bunjaki do ta zhvillojnë edhe një ushtrim tjetër dhe të fundit, por me dyer të mbyllura.
Për Bunjakin, më e rëndësishme është puna që është bërë gjatë këtyre pak ditëve në ekip, sesa vetë ndeshja ndaj Renovës.
“Kemi punuar pjesë teorike dhe praktike. As që kemi folur për ndeshjen me Renovën. Jo pse e kemi nënçmuar, po për shkak se ne jemi në fazën e procesit të përgatitjes së përfaqësueses”, deklaroi Bunjaki për Express.
Megjithatë, ai e çmon edhe miqësoren ndaj Renovës, për të cilën ndeshje thotë se është e mirëseardhur në këtë kohë kur ai po punon në ndërtimin e një reprezentacioni sa më të fortë.
“Ne jemi nisur për t’u tubuar për ndeshjen ndaj Bursasporit, por u bë si u bë puna dhe tani do të luajmë kundër Renovës, ekip ky shumë i mirë dhe nuk është rastësisht kampion i Maqedonisë. Ka lojtarë cilësorë, madje reprezentues të Kosovës dhe një trajner shumë të mirë siç është Sokoli. Për ne është e rëndësishme ta zhvillojmë ndeshjen, por jo edhe rezultati. Kosova do të luajë për rezultate pozitive vetëm nëpër eliminatore”, tha Bunjaki.
Por, mospranimi i Kosovës në FIFA po i sjell telashe selektorit. Ai mezi i ka nxjerrë nga klubet e huaja disa lojtarë kosovarë – madje me kushte. Andaj, formacionin ndaj Renovës, Bunjaki do ta bëjë jo bash si dëshiron ai.
“Qysh tani i kam përgatitur ndërrimet e lojtarëve se kush dhe në cilën minutë do të largohet nga loja, e kush do të futet në lojë, pavarësisht rrjedhës së lojës apo rezultatit, pavarësisht nëse ai do të jetë lojtari më i mirë në fushë”, thotë ai.
- “Kjo për shumë arsye. Sepse disa lojtarë janë para fillimit të kampionateve me klubet e tyre, disa nuk do të mund t’i shfrytëzoj më shumë sesa 45 minuta, në marrëveshje me klubet e tyre, të cilat vetëm me atë marrëveshje i kanë liruar të vijnë”, theksoi selektori kosovar.
Anel Raskaj ndihet i kënaqur që gjendet sërish i grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës, të cilën do të mundohet ta përfaqësojë denjësisht të dielën.
“Është kënaqësi shumë e madhe që jam sërish në përfaqësuese dhe kam nderin ta përfaqësoj vendim tim, Kosovën. Është kënaqësi që jam me bashkëkombësit e mi që luajnë nëpër ekipe të huaja evropiane dhe në Kosovë. Ekipi ynë secilën herë po mobilizohet dhe motivohet dhe gjithçka po shkon duke u profesionalizuar në përfaqësuesen tonë”, tha për Express, reprezentuesi kosovar që luan në Halmstad, Anel Raskaj.
- “Të dielën luajmë ndaj Renovës para tifozerisë kosovare. Për kosovarët, ky është një rast i mirë për ta parë përfaqësuesen e tyre se deri ku ka mbërritur së ndërtuari. Ndërsa, ne do ta japim maksimumin për ta kënaqur publikun dhe do të tentojmë edhe të fitojmë, pse jo”, theksoi Raskaj, i cili me gjasë do ta bartë edhe në këtë miqësore shiritin e kapitenit.