E Diel, 1 Nëntor 2026

Tony Esposito: Në kërkim të muzikës shqiptare

Bateristi i njohur italian Tony Esposito, ka mbajtur dje në mbrëmje një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Për herë të parë në Shqipëri, bashkë me Bandën e Diellit, muzikanti italian thotë se dëshiron të njohë muzikën shqiptare për ta bërë pjesë të repertorit të tij krejtësisht të veçantë

Xhaz, rok, muzikë prej vendeve të Mesdheut, por edhe të Afrikës, ashtu sikundër edhe të Amerikës së Jugut... Këto, por edhe shumë elemente të tjera muzikore, përcjell për publikun bateristi i njohur italian Tony Esposito. Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Esposito bashkë me Bandën e Diellit ka sjellë ngjyra nga e gjithë bota. Si tabloja shumëngjyrëshe e një piktori ashtu edhe muzika e tij ka përçuar mbrëmë emocionet e vendeve ku ka shëtitur gjatë gjithë karrierës bateristi italian. Muzikanti Esposito ka qenë i pari në Itali që me objekte të përdorimit të përditshëm, si llamarina, bidonë metali, tenxhere dhe tasat e makinës, i transformoi në instrumente të vërteta muzikore. Krejtësisht të veçanta, unike, me to ka shëtitur botën, për herë të parë edhe Shqipërinë.

Në Shqipëri vini për herë të parë për një koncert. Si ndiheni?

Unë dhe muzikantët e mi gjendemi në një moment të rëndësishëm këtu në Shqipëri, pasi bëhet fjalë për një binjakëzim të vërtetë mes kulturës italiane dhe asaj shqiptare që kanë lindur me rastin e stinës së madhe të aktiviteteve “Italia dhe Shqipëria 2010: dy Popuj, një Det, një Miqësi”.

Duke qenë se jeni një muzikant që shëtisni botën, cilat ishin informacionet tuaja mbi vendin tonë?

Unë kam të bëj me shumë muzikantë shqiptarë në Romë, qytet ku edhe jetoj. Kur u thashë se po vija në Shqipëri për herë të parë më thanë se do të mrekullohesha, sepse do të shikoja një vend që po rilind dhe që po rindërtohet. Dhe vërtet që e pashë këtë, duke filluar prej sheshit “Skënderbej” këtu para Tetarit të Operës. Mendoj se vende si Shqipëria janë e ardhmja, sepse janë vende që kanë mjaft forcë dhe po rilindin. Për fat të keq do të qëndroj vetëm një ditë, por premtoj se do të vij më shpesh, sepse më bën shumë kureshtar vendi juaj. Vërtet kam shëtitur shumë nëpër botë dhe mund të them se Afrika është tërheqëse, por është shumë larg, ndërsa Shqipëria është shumë afër.

E njihni ndopak muzikën shqiptare?

Zakonisht kur shkoj nëpër vende ku nuk kam qenë asnjëherë, si muzikant flas gjithnjë më parë me muzikantët e vendit ku shkoj. Kërkoj ta njoh muzikën, në këtë rast tuajën, në mënyrë që në një të ardhme ta bëj pjesë të muzikës sime, njësoj si kam bërë me muzikën afrikane, apo me atë të Amerikës së Jugut. Mua më pëlqen shumë ky aspekt i muzikës, që ka të bëjë me përhapjen e saj. Para se të nisesha i premtova vetes se do të blija ndonjë disk me muzikë nga vendi juaj. Në mënyrë të veçantë doja të dëgjoja muzikë instrumentale. Mendoj se muzika shqiptare do të jetë pjesë e muzikës sime, sepse ajo ka nevojë edhe për të.

Si do ta përshkruanit muzikën tuaj, që në fakt është një përzierje me muzikën xhaz, rok dhe mes muzikës mesdhetare e afrikane?

Muzika ime është shumë e veçantë. Por fillimisht dua të them se edukimi im nuk është muzikor. Kam mbaruar për piktor në Akademinë e Arteve në Napoli, sepse jam napolitan. Rreth 30 vite më parë e transferova të gjithë aftësinë time prej piktori në muzikë, duke u marrë gjithsesi edhe brenda saj me shumë ngjyrë, njësoj si edhe në pikturë. Në muzikën time një element shumë i rëndësishëm është ngjyra. Në këtë kuadër them se perkusioni është instrumenti me më shumë ngjyra. Unë përziej përmes këtij treni të madh ritmesh, kultura dhe vende të ndryshme. Gjatë koncertit ju do të shihni se me mua në skenë do të ketë muzikantë që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Muzika ime është një përzierje e shumë kulturave, ajo është e vetmja gjuhë universale, sepse takon dhe njihet me shumë kultura të ndryshme, arrin të kalojë kufij... Ajo është një mesazh i jashtëzakonshëm vëllazërie. Në këtë koncert do të dëgjoni shumë stile dhe unë them gjithnjë se shuma e këtyre stileve është stili im. Ka shumë instrumente origjinale dhe shumë prej tyre unë i kam shpikur vetë dhe kam bërë kështu historinë time muzikore. Në jetën time si muzikant kam bërë edhe shumë koncerte ndërkombëtare, por edhe mjaft pjesë të miat janë kthyer në hite ndërkombëtare. Më duket se këtu në Shqipëri është mjaft e njohur “Kalimba de luna”. Ka nga ata që thonë se muzika ime është etno, xhaz, rok, klasike... ajo është edhe kështu. Megjithatë nuk dua t’i vendos një etiketë muzikës sime, sepse më duket shumë përmbledhëse. Unë e quaj gjithnjë muzika e botës.

Ju keni zgjedhur të jeni më pranë muzikës etno, instrumenteve të vërteta në një kohë që teknologjia, muzika kompjuterike po zë një vend të konsiderueshëm dhe preferohet prej artistëve. Ju si e mendoni?

Mendoj se elektronika dhe multimedia janë vlera të shtuara, të cilat duhet t’i përdorësh, edhe pse unë nuk jam dakord të bëhesh pre e tyre. Mendoj që në rastin e muzikës, elektronika është një element i rëndësishëm, të cilin edhe unë vetë e përdor.

Jo vetëm që i bini instrumenteve muzikore, por edhe i shpikni ato. Si ka lindur ideja?

Kam shpikur disa instrumente që janë unike në të gjithë botën. Me këto instrumente unë bëj edhe muziko-terapi, e cila është e njohur mjaft mirë që nga egjiptianët e lashtë, te babilonasit e grekët. Mendoj se muzika nuk është thjesht për t’u argëtuar. Ajo ka mjaft influencë mbi trupin, por edhe mendjen. Prej 20 vitesh unë merrem me këtë. Njihet mirë se sa ndikon ajo te fëmijët me probleme, toksikodipendentët, mbi problemet psikike, ndaj edhe ne muzikantët ndonjëherë zgjedhim të bëhemi zëdhënës të njohurive tona, edhe pse të vogla në muzikë, pasi ajo është shumë më shumë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›