Qershori u mbyll pa paguar taksat, biznesi dhe qytetarët pritën për amnisti
Drejtoria e tatim-taksave doli me 10 mld lekë minus, njerëzit u gënjyen nga fushata
Bizneset dhe individët pothuajse nuk kanë paguar fare taksa gjatë muajit qershor, dhe kjo për shkak se shumica prej tyre kanë pritur ulje ose falje të detyrimeve, të ndikuar nga zgjedhjet dhe premtimet e politikanëve. Statistikat dhe të dhënat e drejtorisë së tatim-taksave konfimrojnë se për muajin qershor mungojnë plot 10 miliard lekë në buxhet, duke e thelluar edhe më shumë krizën që po rëndon buxhetin e shtetit.
Situata
E gjithë kjo situatë i ka zhytur financat publike në një amulli totale, pasi gjatë muajit qershor, që përkoi me fushatën dhe zgjedhjet elektorale, vëmendja ndaj taksave ishte zero. Aktualisht Qeveria ndodhet në vështirësi financiare, aq sa nuk ka më lekë për të kryer investime, ku për më tepër po vihet në pikëpyetje edhe fondi i pagave dhe pensioneve apo ai i ndihmës ekonomike. Ky fakt konfirmohet edhe nga të dhënat e taksave dhe tatimeve ku për muajin qershor mungojnë plot 10 miliard lekë.
Ekspertët
Ekspertët e komentojnë këtë situate si një shthurje të qeverisë gjatë periudhave zgjedhore, ku tendenca për të shpenzuar pa kriter është e lartë. Por ka edhe një tjetër shpjegim se pse është kjo rënie drastike e mbledhjes së të ardhurave. Premtimi i dy forcave politike për ulje të mëtejshme të taksave dhe tatimeve ka bërë që bizneset, përveç krizës që po kalojnë të mos jenë korrekt në pagesat e detyrimeve ndaj shtetit. Pas kësaj panorame, qeveria vendosi rritjen e pagave dhe pensioneve, me një fond prej 2.5 miliard lekësh, para këto që edhe pse nuk e pranon, qeveria po i merr borxh për të realizuar premtimin e saj.
Rishikimi i buxhetit
Pak ditë më parë në media u fol për një draft të Ministrisë së Financave, që për shkak të krizës ekonomike është detyruar të shkurtojë shpenzimet në minimum, duke rrezikuar madje edhe fondin e pagave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike. Ndonëse ende jo zyrtar, në draftin në fjalë vetë Ministria vlerëson se mosrealizimi i të ardhurave buxhetore deri në fund të vitit do të arrijë në 33.5 miliardë lekë, që është sa 9.5 për qind programit vjetor. Logjikisht rënia e të ardhurave imponon vetëm dy rrugë; ose rritje të borxhit përtej kufirit të përcaktuar në ligj, ose shkurtime drastike të shpenzimeve edhe në zërat më jetik të buxhetit përfshirë transfertat sociale.