Qetësi “rozë” pas Asamblesë, në pritje të vendimit të Kolegjit

Asambleja Kombëtare e PS-së një ditë më parë ka gëluar nga debatet, por sot në selinë rozë vendin e kundërshtive e ka zënë qetësia.
Si rrallë herë në Partinë Socialiste nuk janë parë deputetë apo përfaqësuses të tjerë të rëndësishëm të saj , sidomos ata më aktivët në mbledhjen me dyer të mbyllura të asamblesë së socialistëve.
Nga foltorja e PS-së kanë munguar edhe deklaratat apo reagimet ndaj vendimeve të mazhorancës.
Nga ana tjeter, që prej ditës së djeshme, pas vendimit të Asamblesë, socialistët kanë nisur punën edhe për zgjedhjen e strukturave të reja si dhe nisjen e fushatës zgjedhore brenda partisë.
2 korriku u vendos si dita kur do nisë analiza politike elektorale e oganizative në gjitha strukturat e partisë, që do përfundojë në 30 gusht.
Pavarësisht kësaj qetësie, në dukje, socialistët janë në ankthin e vendimit të 6 korrikut nga Kolegji zgjedhor, i cili do të vendosë nëse do të ketë apo jo pavlefshmëri të zgjedhjeve ne kryeqytet siç është kërkuar nga PS-ja.
E në mes kësaj qetësie pas stuhisë së asamblesë, në zyrat e PS-së ata që duket se nuk ndalin punën e tyre, janë juristët e selisë rozë të cilët vijojnë shtimin e fakteve në dosjen që do paraqesin para trupit gjykues të Kolegjit zgjedhor, për të provuar sipas tyre manipulimin e zgjedhjeve.
Në këtë luftë të gjatë ligjore, beteja e fundit e së mërkurës në Kolegj duket se është shqetësimi i gjithë socialistëve, e sidomos kryetarit të PS-së Rama, i cili në 6 korrik do të mësojë nëse do vijojë të mbajë ose jo edhe detyrën e kryetarit të bashkisë më të madhe në vend.
Kjo qetësi në PS, me siguri nesër do të thyhet jo vetëm nga deklaratat, por edhe nga urimet që do shkojnë në adresë të kryesocialistit Rama, i cili në 4 korrik feston 47-vjetorin e lindjes.
Ndoshta dhurata më e mirë që pret kryeatari i PS-së është një vendim në favor të tij nga Kolegji zgjedhor.