E Diel, 1 Nëntor 2026

Qetësohen zjarrfikësit

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që secilit zjarrfikës në vend t`i rritet paga. 107 euro është shuma shtesë, të cilën zjarrfikësit e Kosovës do ta marrin me rrogat e tyre në mënyrë retroaktive, duke filluar nga 1 janari 2010. Nga 160 euro që kanë marrë deri më tash për punën që bëjnë, ata do të marrin 267 euro.

Kjo rritje pagash për zjarrfikësit është si shtesë për rrezikshmërinë që kanë gjatë kryerjes së detyrës. Por, zjarrfikësit kanë paralajmëruar një protestë, meqë në kontot e tyre, në fund të muajit shkurt, pagat shtesë prej 107 eurosh nuk kanë figuruar.

Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka konfirmuar rritjen e pagave, duke treguar për Express se vonesat për krijimin e Agjencisë për Reagime Emergjente kanë shkaktuar këtë problem teknik duke u vonuar shuma prej 107 euro për zjarrfikësit.

“Pse nuk kanë dalë të hollat në kontot e tyre, ka të bëjë me atë që është vonuar krijimi i kësaj agjencie, e cila pritet të themelohet në javët e ardhshme dhe e cila është dashur të alokojë mjete direkt për zjarrfikësit ”, thotë Krasniqi.

Qeveria në mbledhjen e fundit ka vendosur që, duke mos dashur të humb kohë derisa të krijohet kjo agjenci, të hollat t`u derdhë komunave të Kosovës, në mënyrë që zjarrfikësit të kenë sa më parë shtesën prej 107 eurosh në kontot e tyre.

“Kemi vendosur në mbledhjen e fundit të qeverisë që këto mjete t`ua alokojmë komunave të Kosovës, ku komunat do të bëjnë pagesën për shtesa prej 1 janarit 2010”, tregon Memli Krasniqi.

Deri në rishikimin e buxhetit, që pritet të bëhet në qershor të vitit 2010, komunat do të bëjnë këto pagesa për zjarrfikësit.

Në qershor, Agjencia për Reagime Emergjente mund të vazhdojë normalisht të kryejë pagesat. “Kjo është çështje e kryer, premtimin e dhënë e kemi mbajt”, thotë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.

Por, protestën e paralajmëruar për të martën, zjarrfikësit e Kosovës e kanë pezulluar deri në momentin kur të shohin ndonjë vendim të qeverisë për rritjen e pagave prej 107 eurosh.

Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, tha për Express se protesta është pezulluar, meqë qeveria i ka njoftuar ata për rritjen e kërkuar.

“ Nuk e kemi anuluar protestën, por presim nëse janë rrit pagat për 107 euro më shumë apo jo. Na kanë thënë se kjo rritje është kryer, por presim që kjo shumë të dalë në kontot e secilit zjarrfikës”, thotë kryesindikalisti i zjarrfikësve.

Zjarrfikësit e Kosovës më herët kanë kërkuar që paga e tyre të rritet, të përmirësohen kushtet e punës, të përfitojnë ndonjë shujtë ditore e të tjera.

Paga e një zjarrfikësi, pa llogaritur shumën e ngritur prej 107 eurosh, ka qenë 160 euro.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›