E Diel, 1 Nëntor 2026

Bayern e Arsenal ecin përpara

Bayern Munchen dhe Arsenal kanë ecur përpara, duke e siguruar të martën mbrëma një vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Bavarezëve u ndihmoi një gol më shumë i shënuar si mysafir, dhe edhe pse humbën 3:2 në Firenze, për të shkuar tutje. Klubi italian kaloi i pari në avantazh përmes mbrojtësit Vargas, në minutën e 28-të.

Malazezi Jovetic e ngriti në trans stadiumin në Firenze, kur shënoi golin e dytë të vendësve (54’), i cili i qonte ata përpara. Mirëpo, pa kaluar mirë 6 minuta, Van Bommel realizoi për mysafirët, 2:1. Njëjtë kishte përfunduar edhe ndeshja e parë, kështu që penalltitë ishin të mundshme.

Por, Jovetic doli sërish në skenë në minutën e 65-të, kur e shënoi golin e tretë të ekipit ‘Viola’ (3:1). Një minutë më vonë, sërish kundërpërgjigjen gjermanët me një super gol të holandezit Robben, 3:2. Fitorja me këtë rezultat nuk i mjaftoi Fiorentinës, e cila lë kështu këtë kompeticion herët.

Në përballjen tjetër, edhe pse në mungesë të kapitenit Fabregas, Arsenal e shkatërroi Porton, që e mposhti me rezultat 5:0. Nicklas Bendtner ishte trim i triumfit të londinezëve, pasi realizoi het-trik. Danezi e hapi goleadën e “Topçinjve” në minutën e 10-të, për të shënuar sërish në atë të 25-të, për 2:0.

Portugezët, që në ndeshjen e parë në shtëpi fituan 2:1, luajtën mjaft dobët. Në pjesën e dytë Arsenal shënoi edhe tre gola. Nasri (63’) e Eboue (66’), ua ‘shkurtuan këmbët’ portugezëve, derisa Bendtner e vulosi rezultatin përfundimtar nga penalltia në minutën e fundit, 5:0.

Liga e Kampionëve

Rezultatet
Arsenal-Porto 5:0 (1:2)
Fiorentina-Bayern 3:2 (1:2)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›