Qeveri-BB, bisedime për projektin e jugut
Banka Botërore dhe Ministria e Transporteve kanë rifilluar bisedimet për projektin me vlerë 38 milionë dollarë për zhvillimin e infrastrukturës turistike në bregdetin e jugut, projekt që u bllokua dy vjet më parë pas hetimeve për keqmenaxhim, që solli shpërngulje të dhunshme të banorëve të Jalit. Zv/ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Edmond Haxhinasto, thotë se brenda pak ditësh do të përfundojë riplanifikimi i projektit, për të vijuar më pas edhe me rishpërndarjen e fondeve.
Projekti nisi të zbatohej në vitin 2005, por u pezullua pasi ishte lëvruar vetëm një pjesë e vogël e fondeve të përgjithshme prej 38 milionë dollarësh, për shkak se banorët e Jalit u ankuan për keqpërdorim të projektit të BB-së në dëm të interesave të tyre. Banka Botërore ka deklaruar më herët se projekti mund të rifillonte në rast se disa kushte paraprake plotësoheshin. Muajin e kaluar, koordinatori i projektit, Jamarbër Malltezi, njoftoi se kishte hequr dorë nga posti i tij, duke i hapur rrugë kështu rifillimit të projektit.
Projekti synon që të përmirësojë infrastrukturën primare në zonën bregdetare të jugut të Shqipërisë, duke ndërtuar rrugë, kanalizime e ujësjellës, si dhe porte e pontile për anije të vogla. Fillimisht projekti synonte edhe zhvillimin e kapaciteteve qeveritare për menaxhimin e territorit dhe mbrojtjes së ambientit, por pas problemeve të lindura, komponentët e fundit nuk do të përfshihen në projektin e rishikuar.
SkandaliNë prill të vitit 2007, policia ndërtimore e Vlorës zbriti në fshatin e vogël Jal, në bregdetin e jugut, dhe shembi 15 ndërtime pa leje ose me leje të përkohshme. Banorët protestuan dhe tërhoqën vëmendjen e medias, si edhe të disa deputetëve. Qeveria iu përgjigj duke thënë: "Banka Botërore na ka kërkuar shembjet e ndërtimeve pa leje". Banorët e Jalit u ankuan në zyrat e Bankës Botërore në Uashington, gjë që hapi një hetim të pavarur. Hetimi zbuloi se emri dhe burimet e Bankës Botërore qenë përdorur për të urdhëruar policinë ndërtimore të shembte ndërtimet pa leje. Kur raporti i panelit të inspektimit ra në duart e medias shqiptare dhe ndërkombëtare, ai u kthye në një skandal të stërmadh. Vetë presidenti i Bankës Botërore, Robert B.Zoellick, i përshkroi ngjarjet e Jalit si "rrëqethëse" dhe premtoi angazhimin e bankës për të ndihmuar të prekurit. Në Shqipëri, çështja u kthye në një skandal politik, për shkak se koordinatori i projektit, Jamarbër Malltezi, është edhe dhëndër i Kryeministrit Berisha. Qeveria nuk ka pranuar deri më sot asnjë përgjegjësi në lidhje me ngjarjen. BB pranoi vitin e kaluar se “zgjedhja e z.Malltezi si koordinator i projektit, kishte qenë një gabim”.
Marrëdhëniet mes Bankës Botërore dhe qeverisë mbetën të tensionuara për më shumë se një vit. Në janar, bisedat joformale duket se sollën dorëheqjen e Malltezit nga posti i koordinatorit të projektit dhe zgjidhjen e problemit.
Ndërkohë, në Vlorë vijon beteja ligjore e banorëve të Jalit me qeverinë. Pronarët e shtëpive të shembura në vitin 2007 kërkojnë dëmshpërblim financiar.
ProjektiFondet e BB dhe donatorëve të tjerë pritet ta ndihmojnë Shqipërinë në menaxhimin e zonës turistike Llogora-Butrint, duke ndihmuar në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e atraksioneve kulturore, në mbrojtjen dhe monitorimin e ambientit, në ndërtimin e një sistemi për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane. Porti i Sarandës pritet të zhvillohet dhe të transformohet në një port tragetesh me terminal pasagjerësh, ndërsa në fshatrat e të gjithë bregdetit pritet të ndërtohen rrjete të kanalizimit të ujërave të zeza, rrugë si dhe ujësjellës.
#