E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Hetim parlamentar në përputhje të Kushtetutës

Deklarata

Jozefina Topalli i informoi paraditen e djeshme përfaqësuesit e komitetit presidencial të Asamblesë së Këshillit të Europës, të kryesuar nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-s, Mevlut çavuçoglu, në lidhje me qëndrimin e mazhorancës për krizën politike në vend. Në fjalën e saj gjatë takimit në Parlament me delegacionin, Topalli theksoi se ajo si Kryeparlamentare dhe mazhoranca është e vendosur për të mbrojtur Kushtetutën, parlamentarizmin dhe shtetin ligjor. “çdo përpjekje që cenon këtë arritje të madhe të Shqipërisë, duhet konsideruar si përpjekje kundër interesave dhe aspiratave të popullit shqiptar”, theksoi Topalli në fjalën e saj. Po kështu, Kryeparlamentarja gjatë takimit i vlerësoi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, jo vetëm si procesin më të mirë zgjedhor në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe si një gur të rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. “Bojkoti si një mohim i demokracisë është një praktikë e dënueshme dhe si e tillë është konsideruar nga të gjitha dokumentet e institucioneve ndërkombëtare”, theksoi gjithashtu Topalli. Duke u nisur nga roli i saj si Kryeparlamentare, Topalli i informoi anëtarët e delegacionit të KiE-s se ajo në mënyrë të herëpashershme ka bërë përpjekje institucionale për të komunikuar me çdo deputet të opozitës, duke i ftuar ata të respektojnë Kushtetutën dhe mandatin që i ka dhënë populli. Po kështu Topalli informoi ndërkombëtarët edhe për ofertën e bërë opozitës nga mazhoranca për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili mund të funksionojë vetëm në zbatim të Kushtetutës, parimit të ndarjeve të pushteteve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo gjithashtu vlerësoi miratimin e rezolutës së KiE-s dhe rikonfirmoi vlerësimin për raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, si dhe deklaratën më të fundit të bërë nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Soares.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›