Qeveria mundëson shpërblimet e fundvitit për pensionistët dhe punonjësit e institucioneve buxhetore

- Pavarësisht krizës ekonomike dhe rritjes së parakohshme të rrogave, Ministria e Financave siguroi fondin prej 15 milion dollarësh, nga i cili do të bëhet i mundur shpërblimi prej 25 mijë lekësh për pensionistët, si dhe shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 150 mijë lekë dhe për rrogat e tjera do të jetë 100 mijë lekë.
Kryeministri Berisha bëri të ditur sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se qeveria do të mundësojë shpërblimet e fundvitit për pensionistët dhe punonjësit e institucioneve buxhetore. “Ndryshe nga titujt me germa kapitale, me të cilat janë hapur disa të përditshme sot, qeveria qëndron dhe do t’u dërgojë pensionistëve shqiptarë, si dhe punonjësve të administratës kartolinën e viti të ri.”
Kryeministri u shpreh se pavarësisht disa vështirësive, të cilat nuk mund të shpërfillen si kriza nga njëra anë dhe rritja e e parakohshme e rrogave, Ministria e Financave pas një shqyrtimi të kujdesshëm të burimeve ia ka dalë të sigurojë një fond prej 15 milion dollarësh, nga i cili do të bëhet i mundur shpërblimi prej 25 mijë lekësh për pensionistët, që do të shpërndahet brenda këtyre ditëve. “Nuk mund të injorohen vështirësitë e krijuara nga kriza nga njëra anë dhe nga fakti tjetër se për shkak të zgjedhjeve në mënyrë që të mos mund të lidhej rritja e rrogave dhe pensioneve me votën, ne u detyruam kësaj radhe të avanconim dy muaj para, rritjen e rrogave dhe pensioneve. Pra normalisht rritja bëhet një herë në vit dhe i takonte që të fillonte në një korrik. Këtë vit për të ruajtur etikën në raportin e pagave me zgjedhjet ne u detyruam ti japim dy muaj para.
Së dyti, rritja e këtij viti është rritja më e madhe në historinë e vendit , me një faturë të fuqishme ndërkohë kur në vende të tjera rrogat për shkak të krizës pësuan rënie nga 6 në 12 dhe 14 %. Pavarësisht nga kjo situatë ministria e Financave pas një shqyrtimi tërësor të burimeve ia ka dalë të sigurojë 15 milion dollarë si shpërblim për pensionistët dhe këto do të jenë 25 mijë lekë për pensionist.”
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se janë jo të pakta vendet, të cilat këtë vit nuk do të shpërndajnë shpërblime në fundvit, apo vende të tjera ku kjo shumë do të jetë 12 euro dhe do të jepet në muajin janar.
Kryeministri gjithashtu përgënjeshtroi zërat se qeveria ka bllokuar pagat për zyrtarët, duke bërë të ditur se Ministria e Financave ia ka dalë të garantojë shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim, i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 150 mijë lekë dhe për rrogat e tjera 100 mijë lekë. “Dua të theksoj se nuk ka as edhe një zyrtar të vetëm të të gjithë piramidës shtetërore të vendit që nuk ka marrë rrogën. Ky është një mashtrim i bazuar në gënjeshtrën. Buxheti ka disponuar të gjithë shumën e nevojshme për pagat, pa asnjë lloj mëdyshje. Buxheti, Ministria e Financave ia kanë dalë gjithashtu të garantojnë shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 150 mijë lekë dhe për rrogat e tjera do të jetë 100 mijë lekë. Edhe ky do të shpërndahet në harkun kohor të ditëve që vijnë. Nuk shtyhet për në janar. Qeveria nuk ka bllokuar asnjë pagë, por qeveria ka pranuara të respektohen afatet ligjore në dhënien e pagave . Kështu që asnjë punonjës nuk ka që nuk e ka marrë pagën. Të gjithë do të marrin pagën në janar siç duhet. Shpërblimin do ta marrin gjatë këtyre ditëve në mënyrë që të mund të festojnë vitin e ri më mirë në shtëpitë e tyre. Pra ky është një dekret që ne miratojmë sot dhe në mënyrë që ai të hyjë në fuqi menjëherë dhe të mund të lëvrohet kartolina e vitit të ri që qeveria u dërgon pensionistëve dhe qytetarëve.”16/12/2009