Qeveria, 1.3 milionë USD për vilat
ADI SHKEMBI
Në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit qeveria akordon një fond prej 1.3 milionë dollarë për rikonstruksionin e vilave qeveritare. Megjithëse një periudhë krize ekonomike, qeveria miraton vendimin për kryerjen e punimeve shtesë në vilat qeveritare në Dhërmi, Durrës, vila nr. 1, Vlorë e Velipojë. “Me propozimin e zv.kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2009, t’i shtohet fondi 129.036.784 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tridhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e katër) lekë, për përfundimin e disa investimeve të nisura, për rikonstruksionin e disa vilave qeveritare, përkatësisht në Dhërmi, Durrës, vila nr. 1, Vlorë dhe Velipojë”, thuhet në vendimin e miratuar. Sipas relacionit të këtij akti ligjor, në vitin 2008 Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare i është dhënë fondi prej 33 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e këtyre pesë vilave. “Për rikonstruksionin e vilës qeveritare në Velipojë, në buxhetin e shtetit për vitin 2009, është parashikuar vlera prej 30 milionë lekë. Por gjatë kryerjes së rikonstruksionit të këtij objekti kanë dalë të nevojshme punime të tjera, të paparashikuara, të cilat kapin vlerën e rreth 5.5 milionë lekë”, thuhet në relacion. “Për rikonstruksionin e vilës qeveritare në Dhërmi, e cila nuk u përgjigjet kërkesave bashkëkohore për një rezidencë qeveritare, referuar projektit të paraqitur, kërkohet një fond prej 54 milionë lekë”, vijon më tej shpjegimi i zv.kryeministrit Genc Pollo. Veç këtyre dy vilave, në aneksin nr. 1 të vendimit janë parashikuar edhe 5.1 milionë lekë për rikonstruksionin e vilave nr. 6, 13, 20 dhe 23 në Durrës si dhe rikonstruksionin e vilës nr. 1 në Vlorë në shumën 52 milionë lekë. “Në buxhetin e vitit 2009, miratuar për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, nuk janë parashikuar fonde për kryerjen e të gjitha punimeve të planifikuara. Për këtë arsye, kërkohet një fond shtesë, me vlerë prej 129.036.784 lekë, për përfundimin e punimeve të nevojshme për rikonstruksionin e këtyre objekteve qeveritare. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga fondi i kontigjencës i buxhetit të vitit 2009”, përfundon relacioni i zv.kryeministrit.
54 milionë lekë
Sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria, rikonstruksioni i vilës qeveritare në Dhërmi do të kushtojë 54 milionë lekë të reja dhe do të përballohet nga buxheti i këtij viti
17 milionë lekë
Në aneksin e aktit ligjor, parashikohet që fondi prej 17 milionë lekësh të reja të shkojë për rikonstruksionin e vilës qeveritare në Velipojë
52 milionë lekë
Një shumë prej 52 milionë lekë të reja janë parashikuar nga qeveria që të shkojnë për rikonstruksionin e vilës qeveritare nr. 1 në qytetin e Vlorës