E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit me 1 mijë lekë pagën minimale

 

Rritet me 5.9 për qind paga minimale. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar rritjen e pagës minimale, e cila nuk do të jetë më 17 mijë lekë në muaj. Sipas vendimit të qeverisë, duke nisur nga data 1 maj nuk do të ketë më pagë minimale nën 18 mijë lekë në muaj. Paga minimale prej 18 mijë lekësh në muaj është në nivelin e minimumit jetik për një të punësuar, pra me këtë rritje edhe paga e punonjësve që punojnë në punët më të thjeshta dhe janë fillestarë në punë është mbi minimumin jetik për një të punësuar. Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj., të cilat shkojnë mesatarisht 50 për qind mbi pagën bazë. Duke llogaritur këto shtesa, paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 27 mijë lekë në muaj. Ndërkohë që është parashikuar edhe paga orare në masën 103 lekë, me qëllim që të mbrohen më mirë punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme ose jashtë kohës normale të punës. Në sektorin publik dhe veçanërisht në atë buxhetor, caktimi i pagës minimale ka ndikim në sistemin e pagave, por me vendosjen e sistemit të pagave sipas strukturës së shërbimit civil për të gjithë administratën publike është ulur ndjeshëm ndikimi që ka rritja e pagës minimale në nivelet e tjera të pagave, duke krijuar fleksibilitet më të madh në përcaktimin e pagës minimale. Në këtë projektvendim nuk janë evidentuar efektet në fondin e pagave, pasi për punonjësit e institucioneve buxhetore efektet janë llogaritur në vendimet e pagave për sektorët e veçantë. Projektvendimi ka efekte financiare për programin e pagesës së personave me aftësi të kufizuar, pasi në vendimet e Këshillit të Ministrave në të cilët janë caktuar masa e pagesës së paaftësisë, është përcaktuar që kjo pagesë të rritet sa rritja e pagës minimale në shkallë vendi. Efekti financiar për rritjen e pagës së të paaftëve, të verbërve, paraplegjikëve e tetraplegjikëve dhe kujdestarëve të tyre llogaritet në shumën 322 milionë lekë për vitin 2009. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›