E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria Berisha ul 20% tarifat për të gjitha programet e arsimit të lartë

Me propozim të Kryeministrit Berisha, Këshilli Ministrave vendosi sot uljen 20 për qind të tarifave për të gjitha programet e studimeve të larta të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë, për vitin akademik 2008-2009.

Kryeministri Berisha theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet për të mbështetur arsimin, i cili është një nga prioritetet më madhore të qeverisë.

Qeveria miratoi sot një sërë vendimesh për hapjen e programeve të studimeve master i nivelit të parë dhe i nivelit të dytë për vitin akademik 2008-2009, në disa universitete publike të vendit si në Universitetin Bujqësor në Kamëz, “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, “Fan Noli” në Korçë, “Ismail Qemali” në Vlorë, si dhe në universitetin shtetëror të Tiranës.  

Pak kohë më parë, qeveria miratoi një vendim për një shtesë prej rreth 900 vendesh të reja pune në universitetet publike për të diplomuarit me gradën doktoraturë dhe master në universitete perëndimore. Ky vendim u mor në kuadër të nismës së qeverisë për thithjen e trurit (Brain Gain), në bashkëpunim me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.


10/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›