E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Do rriten pagat dhe pensionet në 1 korrik

 

Pensionet në fshat do të rriten 15 për qind, në qytet do të rriten me 10 për qind, ndërsa ndihma ekonomike me 10 për qind, rrogat e arsimtarëve 14 për qind, për infermierët 14 për qind dhe për rrogëtarët e përgjithshëm 7 për qind. Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha tha se qeveria po përgatit vendimin për rritjen e pensioneve, ndihmës ekonomike dhe rrogave, i cili do të hyjë në fuqi në 1 korrik të këtij viti. Ky plan i qeverisë është parashikuar për 800 familje, sipas asaj që deklaroi Berisha.

Kryeministri bëri të ditur se sipas këtij vendimi, pensionet në fshat për këtë vit, do të rriten me 15 për qind, ndërsa në qytet do rriten me 10 për qind, duke e çuar pensionin në qytet, jo 100 dollarë siç ishte premtuar nga qeveria, por 100 euro, duke filluar nga data 1 korrik. Po ashtu, ndihma ekonomike rritet me 10 për qind, rrogat e arsimtarëve me 14 për qind, duke garantuar kështu dyfishimin e tyre brenda mandatit qeverisës. Edhe rrogat për infermierët rriten me 14 për qind dhe skema e hartuar garanton dyfishimin plotë të këtyre rrogave brenda mandatit qeverisës. Sipas vendimit të qeverisë, rritje prej 7 për qind pësojnë edhe rrogat e tjera, për të përballuar inflacionin dhe për të pasur një rritje shtesë, si dhe me 4 për qind rritenrrogat e larta. “Duke filluar që nga data 1 korrik e tutje, nuk do të ketë rrogë nën 170 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë”- u shpreh Berisha.

Qeveria, pas studimeve të bëra për 520 mijë pensionistë në vend, do të vendosë që përpensionin minimal në fshat, për rreth 170 mijë pensionistë, pension i cili është tashmë rreth 63 mijë lekë, të ketë një rritje prej 15 për qind, për të kompensuar inflacionin dhe realizuar rritjen e tyre.

Për pensionistët e qytetit, ku pensioni minimal është në vlerën 110 mijë lekë, qeveria do të vendosë një rritje prej 10 për qind.

Për të rritur pagat me 10% qeveria duhet të shpenzojë 50 milionë euro, por ka akorduar më pak. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se buxheti aktual duhet të shkurtojë ndjeshëm shpenzimet dhe se "nuk ka vend për rritje të bollshme pagash". Plani i FMN-së konsistonte në rritje të lehtë të ndihmës ekonomike, që e përfitojnë rreth 100 mijë familje në të gjithë vendin e që varion nga 1600 në 2300 lekë në muaj, si dhe për rritje të pagave të ulëta në sektorin buxhetor. Në Shqipëri ka rreth 6 mijë punonjës shteti që marrin pagën minimale ligjore. Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar një javë më parë mes qeverisë dhe FMN, Shqipëria u angazhua të ulë deficitin buxhetor të programuar këtë vit nga 7.9 në 5.2% të PBB-së. Kjo ulje nënkupton shkurtim shpenzimesh në masën 242 milionë euro. Buxheti i shtetit ka planifikuar të shpenzojë 100 milionë euro për ndihmë ekonomike këtë vit, 570 milionë euro për paga dhe 200 milionë euro për të mbuluar deficitin e sigurimeve. Rritja e pagave dhe pensioneve me 10% në gjysmën e dytë të vitit kërkon shpenzime prej rreth 50 milionë eurosh. Kjo shifër konsiderohet si tepër e lartë në kushtet aktuale ku rritja e kostos së rrugës së Kukësit dhe humbjet e KESH kanë gllabëruar sakaq të gjithë fondin rezervë të buxhetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›