E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Organizimi në bashkëpunim ndërkombëtar

11/02/2010  Aktivitete për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës
Kryeministri Sali Berisha kërkon zhvendosjen e shtatores
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar ngritjen e një Komiteti, që do të drejtohet nga ministri i Kulturës, për të organizuar aktivitete në shenjë kujtimi të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Në mbledhjen e Qeverisë, Berisha theksoi se një grup pune ka qenë aktiv dhe prej disa kohësh është marrë me hartimin e një projekti për këtë 100-vjetor. “Ky projekt duhet dhe do të udhëhiqet nga një nderim dhe mirënjohje e thellë mbarëpopullore ndaj veprës së ndritur, trashëgimisë së mrekullueshme që ajo la për njeriun dhe për njerëzimin”, deklaroi Berisha. Ai nënvizoi se këto aktiviteti do të ndërmerren nën një bashkërendim ndërkombëtar, duke përfshirë Maqedoninë, Kosovën dhe Indinë e largët. Por gjithashtu aktivitetet duhet të parashikohen dhe bashkërendohen së bashku me Konferencën Episkopale dhe me faktorë të tjerë të rëndësishëm. Kryeministri Berisha ka thënë se me rastin e festimeve të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, në Tiranë duhet të ketë përkujdesjet e nevojshme sheshi që mban emrin e saj. Po ashtu, sipas tij shtatorja e Nënë Terezës, e cila në opinionin e Kryeministrit është e vendosur në një vend jo të përshtatshëm, duhet të zhvendoset e të vendoset në sheshin që mban emrin e saj. Kreu i Qeverisë ka theksuar se nga grupi i punës ka një ide që të ngrihet një muze pranë këtij sheshi. Ai kërkoi gjithashtu të mbrohet shtëpia në Tiranë, ku kanë jetuar nëna dhe e motra e Nënë Terezës.
Përplasja me Indinë
Disa muaj më parë Kryeministri Berisha deklaroi se Qeveria shqiptare do të kërkojë nga qeveria e Indisë eshtrat e Nënë Terezës, në mënyrë që ato të prehen në Shqipëri. Por kjo deklaratë solli reagimin e menjëhershëm të qeverisë së Indisë, të cilët hodhën kategorikisht poshtë mundësinë e transferimit të eshtrave të Nënë Terezës. Në qëndrimin e saj, qeveria indiane theksoi se gjithsesi nuk ka një kërkesë zyrtare nga Tirana.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›