E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Kumbaro sërish në Gjykatën e Lartë

11/02/2010  Ish-shikasi kësaj radhe kërkon ndryshim mase, jo burg pa afat
Dosja “Hoxha”, vijojnë betejat për t’iu shmangur përgjegjësive
TIRANË- Ilir Kumbaro nëpërmjet avokatëve mbrojtës i rikthehet edhe një herë Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar vendimin që e le në arrest burgu pa afat. Në kohën kur kishte fituar lirinë në Britaninë e Madhe, Ilir Kumbaro mësoi se një tjetër masë ishte vënë ndaj tij nga Krimet e Rënda. Pikërisht këtë vendim ai kërkon të ndryshojë në Gjykatën e Lartë. Objekti i kërkesës së depozituar në këtë gjykatë është për ndryshimin e masës së sigurimit. Sipas avokatëve, të dy shkallët e gjykatave për Krimet e Rënda kanë marrë një vendim në kundërshtim me ligjin ndaj klientit të tyre pak ditë pasi Gjykata e Lartë e kishte shuar masën e sigurisë për Kumbaron. Ankimimi i tyre i ka kaluar procedurat e para në këtë gjykatë dhe është lënë që të shqyrtohet më 17 shkurt kërkesa në fjalë. Në këtë ditë, Gjykatës së Lartë i duhet të shprehet sërish brenda një kohe të shkurtër për të njëjtin person dhe për të njëjtën masë sigurie. Vendimi i parë i Gjykatës së Lartë i shërbeu Ilir Kumbaros për të rifituar lirinë nga autoritet angleze. Avokatët sapo morën vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë e përdorën për ndërprerjen e procedurave për ekstradimin e Kumbaros në Shqipëri. Kumbaro është një nga të pandehurit për procesin ku pritet të zbardhet dhe zhdukja e Remzi Hoxhës. Përfaqësuesi i akuzës shpesh herë është shprehur se në këtë proces është e vlefshme jo vetëm dëshmia e Kumbaros, por edhe prezenca e tij për të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për shuarje të masës së sigurisë, Prokuroria tentoi sërish të rikuperonte terren duke kërkuar një masë të re sigurie për Kumbaron. Kjo kërkesë u pranua edhe nga Kolegji i Shkallës së Parë, edhe nga Kolegji i Apelit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›