E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria amerikane ndihmon Policinë e Kosovës

Me qëllim që KFOR-i gradualisht të fillojë kalimin e përgjegjësive te Policia e Kosovës, Qeveria e SHBA-ve ka ndarë një donacion prej 234 000 dollarësh, i cili përfshin mjete për kontrollimin e trafikut, makinën e teknologjisë së lartë për ekzaminimin e dokumenteve, mikroskop dhe dylbi termike.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, ka thënë të premten se pajisjet të cilat i janë dhënë Policisë së Kosovës mbështesin dy fusha të ndryshme, atë të Policisë Kufitare dhe Drejtorinë e Teknologjisë Informative.

“Këto pajisje, me vlerë mbi 234.000 dollarësh, do t’i ndihmojnë Policisë Kufitare t’i përmbushë obligimet e saja dhe të mbajë kufijtë e Kosovës të qëndrueshëm dhe të sigurt. Donacioni përfshin material ekzaminues në mënyrë që Policia të mund të mund të kryejë punën sa më mirë”, ka thënë Dell.

Ambasadori amerikan ka rikujtuar se SHBA-ja vazhdimisht e ka ndihmuar Policinë e Kosovës me pajisje dhe trajnime, të cilat i janë përgjigjur nevojave kritike, të cilat i ka parashtruar policia.

Sipas tij, donacioni i cili përfshin material ekzaminues dhe mjete të tjera të nevojshme ndihmon Policinë e Kosovës që të kryejë me sukses misionin e saj për sundimin e rendit dhe ligjit.

Dell, po ashtu, ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar është rruga e vetme, e cila do të mund të ndikonte në krijimin e një situate të qetë dhe stabile në vend. Ai vlerësoi se ideja, se lufta kundër krimit të organizuar do të mund të ndikonte negativisht në zhvillimet, të cilat po ndodhin në Kosovë është krejtësisht e pasaktë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›