E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria bën shkurtime drastike, por nuk prek dietat e titullarëve

Miratohet vendimi për disiplinimin e shpenzimeve buxhetore për vitin 2013

shkurtohet buxhetiiiNë këto kohë krize, kur po vihet në dyshim edhe rritja e pagave dhe pensioneve, me një vendim të djeshëm qeveria e kryeministrit Berisha ka shkurtuar të gjitha shpenzimet e konsideruara të tepërta. Megjithatë ajo çka vihet re në vendim është përjashtimi nga shkurtimin fjalë, i dietave për titullarët e institucioneve të ndryshme qeveritare, përfshi ministra, zv/ministra apo drejtues të tjerë. Në vendimin e djeshëm për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore thuhet se reduktohet në masën 30-50 % kuota e telefonisë, dietave, seminareve/trajnimeve dhe udhëtimeve të ndryshme jashtë vendit, me përjashtim të disa udhëtimeve të domosdoshme për titullarët e dikastereve.
Titullarët
Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme reduktohen duke lejuar financimin me fonde buxhetore vetëm të udhëtimeve të rëndësisë së veçantë, për aktivitete që përfshijnë titullarët e institucioneve qendrore ku pjesëmarrës mund të jenë ata vetë apo të deleguarit e tyre. Në rastin e pjesëmarrjes në konferenca apo aktivitete, për të cilat paguhet tarifë pjesëmarrjeje, merret paraprakisht miratimi i ministrit të Financave, thuhet në vendimin e djeshëm të Qeverisë.
Nënpunësit e thjeshtë
Ndryshe nga privilegji që iu bëhet titullarëve, për nënpunësit e thjeshta bllokohen të gjitha trajnimet,seminaret apo kurset e ndryshme jashtë vendit, të parashikuara për tu mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2013.  Ndërsa fondet buxhetore të papërdorura deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet/seminaret/kurset brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për tu mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2013, reduktohen në masën 50% .
Përjashtim nga shkurtimi
Lidhur me shkurtimet e përgjithshme në vendim thuhet se: duke nisur nga data 15 korrik 2013, botimi i çdo lloj njoftimi për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime kapitale dhe korrente të njësive të qeverisjes së përgjithshme, sipas përcaktimeve në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, Për prokurimin publik, të ndryshuar, bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. Përjashtohen nga ky rregull: njoftimi i kontratës së nënshkruar për procedura të shpallura para datës 15 korrik; njoftimi i kontratës së nënshkruar për procedura për negocim pa publikim, kur këto kontrata janë lidhur deri në datën 7 korrik dhe janë dërguar për publikim brenda afatit ligjor; fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes së përgjithshme, në të cilat kryhet ky shërbim; prokurimet për blerjet e vogla; investimet nga të ardhurat e realizuara nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Kuotat e telefonave
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes të njësive të qeverisjes qendrore, të pa kontraktuara deri në datën 15 korrik, pasi të zbriten fondet për pagesën e energjisë elektrike, ujit dhe telefonisë, ngurtësohen në masën 20 për qind të pjesës së mbetur. Reduktohet me 30 për qind edhe masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për çdo përfitues nga vendimi nr.864, datë 23.7.2010, i Këshillit të Ministrave, Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridikë, publikë. Fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur, reduktohen në masën 50 për qind në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nëpërmjet përgjysmimit të limeteve mujore për çdo përdorues. Fondi i veçantë i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret deri më 2 dhjetor 2013, përveç rasteve për ndihma të menjëhershme dhe të shpërblimit për daljet në pension pleqërie, në masën e përcaktuar në pikën 7, të vendimit  nr.929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë, të ndryshuar, pavarësisht nga masa e përcaktuar në akte të tjera ligjore e nënligjore, thuhet më tej në vendim. Të gjitha institucionet e njësive të qeverisjes së përgjithshme janë të detyruara ta zbatojnë këtë vendim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›