Qeveria beson se dialogu me Serbinë është zgjidhja e vetme

Qeveria e Kosovës vazhdon të besojë se dialogu është zgjidhja e vetme dhe mbetet e përkushtuar për ta quar para këtë proces. Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi tha se pavarësisht vendimeve të vështira pala kosovare ka qenë e gatshme të nënshkruaj marrëveshje që janë në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane.
Pas dështimit të arritjes së marrëveshjes, Kryeministri Hashim Thaçi tha se ai beson plotësisht në përkushtimet e baroneshës Eshton për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai edhe një herë tha se vendimet që do të duhej të merren nuk kanë qenë të lehta për palën kosovare, por megjithatë, ato do të shkonin në dobi të shtetit të Kosovës.
“Kosova ka bërë një varg kompromisesh që kulmuan me pakon gjithëpërfshirëse të Ahtisarit. Po ashtu edhe përgjatë tërë këtij procesi Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë të gatshme në vendime jo të lehta por që janë në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane”, tha kryeministri Thaçi, transmeton rtk.
Kryeministri Thaçi po ashtu tha se Prishtina do të angazhohet maksimalisht që procesi të përmbyllet me sukses, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. E për Beogradin, sipas kryeministrit Thaçi, tani e tutje adresë e vetme e informimit mbetet Brukseli.
“Propozimet e dhëna nga Baronesha Ashton ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit. Këto propozime do të shënonin edhe fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon. Ndërsa, tani adresa e vetme e informimit dhe prezantimit të opinioneve të veta Beogradi do ta ketë Brukselin dhe kabinetin e Baroneshës Ashton, aty ku janë zhvilluar takimet për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi”., tha kryeministri Thaçi.
Ndryshe, në këtë mbledhje, ekzekutivi miratoi edhe Planin e Veprimit për Liberalizimin e vizave. /Indeksonline/