E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria dënon aksionet e VV-së

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës ka dënuar tentimin për të bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës nga ana e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe tentimin për të bllokuar hyrjen e deputetëve, të ambasadores së SHBA-së në Prishtinë dhe të përfaqësuesve tjerë ndërkombëtarë, për të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

“Qeveria konsideron se dhuna e ushtruar në mënyrë të vazhdueshme nga kjo lëvizje në rrugë e sheshe, por edhe tentimi për futjen e dhunës në institucione, është në kundërshtim të plotë me vullnetin e popullit të Kosovës për ndërtimin dhe konsolidimin demokratik të institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Po sipas qeverisë, “vullneti i qytetarëve për Kosovën evropiane, i shprehur me votën e lirë është mbi të gjitha, është mbi synimet për të rrënuar gjithë suksesin e arritur të shtetit të Kosovës dhe mbi synimet e ulëta, që, për arsye të dështimeve personale në politikë, të tentohet të rrënohet perspektiva evropiane e Kosovës”.

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar sot marrëveshjen Kosovë – Serbi, të arritur më 19 prill në Bruksel. Votimi është mundësuar pasi sigurimi i Kuvendit ka detyruar me forcë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të largohen nga foltorja e Kuvendit.

................

Rreth ngjarjeve të sotme që ndodhën para hyrjeve të Kuvendit të Kosovës, pati shumë reagime. Në këtë vazhdë ka reaguar edhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, e cila në një postim në Twitter, deklaroi se disa deputetë të Kuvendit të Kosovës janë sulmuar fizikisht.

Sipas saj, deputetët janë sulmuar derisa po hynin në parlament dhe, sipas saj, “kjo nuk është demokraci”.

“Disa deputetë janë sulmuar fizikisht teksa po provonin të hynin në ndërtesën e Parlamenti. Kjo nuk është demokraci! Minoriteti politik po përdorë forcë”, shkroi ajo në Twitter. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›