Qeveria dështon në zgjidhjen e problemit me pasaportat e fëmijëve shqiptarë në Greqi, lejohet lëvizja vetëm për Pashkë
Qeveria shqiptare ka dështuar për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për pasaportat e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi, ku në dokumentet e tyre toponimet janë shkruar në gjuhen shqipe.
Pas dy muajsh bisedime, ajo që ka mundur të sigurojë pala shqiptare është leje kalimi të përkohshme vetëm për sezonin e Pashkëve.
Kështu, sipas burimeve zyrtare të Ministrisë greke të Mbrojtjes, pala greke do të lejojë lëvizjen e lirë të fëmijëve shqiptarë me rastin e Pashkës Ortodokse dhe kjo liri përfundon në datën 12 maj.
Pas këtij afati do të rikthehet sërish rregulli i vjetër në lëvizjen e qytetarëve shqiptarë, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit që mban peng mijëra emigrantë shqiptarë në të dy anët e kufirit.
Lajmi konfirmohet edhe nga Drejtori për Kufirin në Gjirokastër, Admir Abrija, i cili bën me dije se pasi u takua me drejtorin e policisë së Janinës dhe komandantin e Kakavijës, kanë ranë dakord që emigrantëve nuk do tu shkaktohet asnjë problem nga kjo pikë kufitare.
Sipas Abrijas, pas 12 majit, fëmijët e emigrantëve shqiptarë, ato që kanë problem në dokumentacionet e tyre, nuk do të lejohen të kalojnë në pikat kufitare me Greqinë.
Prej afro një viti autoritet greke kanë penguar lëvizjen e fëmijëve të lindur në Greqi nën pretekstin se në pasaportat biometrike të tyre toponimet greke janë shkruar në gjuhën shqipe.
Për zgjidhjen e këtij ngërçi janë ngritur grupe pune, por ende nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.
Pala greke insiston në korrigjimin e toponimeve greke dhe shkrimin e tyre në anglisht, sipas konventave ndërkombëtare, ndërkohë që korrigjimi është një kosto, jo vetëm financiare, për të gjithë ato emigrantë, dokumentet e të cilëve janë shkruar në gjuhën shqipe, jo për faj të tyre./l.ç