E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet me 6 plumba te porta e shtëpisë deputeti Fatmir Xhindi

Ngjarja, dje rreth orës 21:15, ndërsa deputeti i PS-së po hynte në shtëpinë e tij. Atentati, i planifikuar dhe i parapërgatitur, autorët e prisnin deputetin

Luan Kondi

Tiranë – Është ekzekutuar në rrethana misterioze me 6 plumba automatiku deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15, ndërsa deputeti i PS-së po hynte në shtëpinë e tij. Pikërisht në këtë moment mbi të është hapur zjarr nga persona të paidentifikuar. Burimet policore thanë se ai ishte duke lëvizur në këmbë drejt banesës së tij. Pak para se të mbërrinte në banesën ku jetonte së bashku me familjen, mbi të është derdhur një breshëri plumbash. Dyshohet se autorët mund të kenë hapur zjarr nga gjimnazi i Roskovecit, por policia nuk ka arritur ende në një konkluzion përfundimtar për këtë. Burime nga policia vendore saktësuan se mbi deputetin është qëlluar me armë zjarri automatike e tipit “Kallashnikov”. Mendohet se autorë të ngjarjes janë të paktën dy persona. Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre.
Atentati i parapërgatitur
Nisur nga faktet që zotëron deri tani policia në vendngjarje duket se ngjarja nuk ka qenë e rastësishme, por një atentat i planifikuar e përgatitur me kohë. Atentatorët duket se e prisnin viktimën, pra ata kanë qenë në ndjekje të tij dhe dje kanë gjetur rastin për ta ekzekutuar. Autorët kanë zgjedhur edhe kohën për ta kryer atentatin, ndërsa deputeti i ishte drejtuar shtëpisë së tij, madje duke përfituar edhe nga errësira, ata kanë mundur të largohen menjëherë pas ekzekutimit të deputetit. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është duke kryer veprime hetimore atje, ndërsa ka organizuar postblloqe në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit të Roskovecit si dhe në akset rrugore Fier-Vlorë dhe Fier-Berat.
Motivet, policia përjashton pistën për vrasje politike
Mbeten ende enigmë arsyet e ekzekutimit të deputetit për shkak të informacioneve të pakta që disponohen deri tani. Burime policore thanë se përjashtohet pista për vrasje politike. Sipas të dhënave policore, deputeti Fatmir Xhindi dje në mbrëmje po kthehej nga puna në pronat e tij në Kurjan. Fillimisht burime jozyrtare thanë se deputeti ishte kthyer nga një takim elektoral në fshatin Verbas të komunës Kurjan. Pak para se të mbërrite në shtëpinë e tij ai është qëlluar me armë zjarri. Menjëherë në ndihmë i kanë ardhur të afërmit, të cilët e kanë nisur për në Spitalin e Fierit. Dëshmitarët kanë thënë se ai ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital. Konfirmohet nga burime policore se janë duke u kontaktuar familjarët e të ndjerit për të mësuar nëse ka pasur dijeni për ndonjë kërcënim të mundshëm ndaj deputetit kohët e fundit. Policia ka rrethuar vendin dhe po punon për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre, që mësohet se janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Shtëpia e deputetit është rrethuar nga forca të shumta policore, ndërsa në Spitalin e Fierit kanë qenë të pranishëm edhe shumë simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët kanë qenë të indinjuar për sa ka ndodhur mbrëmjen e djeshme. Trupi i pajetë i deputetit Xhindi ndodhet aktualisht në morgun e Spitalit të Fierit.

Ku ndodhet shtëpia e deputetit

Shtëpia e deputetit Xhindi ndodhet në një rrugicë të ngushtë, larg qendrës së qytetit të Roskovecit. Sipas informacioneve, deputeti ishte duke shkuar në këmbë në shtëpinë e tij dhe rreth 4 metra larg saj është hapur mbi të zjarr. Rrugica është e errët, e pandriçuar. Autorët kanë shfrytëzuar errësirën dhe janë larguar pas atentatit. Edhe autorët e mundshëm mendohet të jetë larguar nga vendngjarja në këmbë, pasi rrugica është e ngushtë. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është dhënë alarmi. Janë nisur drejt Roskovecit ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, drejtori i Hetimit, Nikolin Bala, të tjerë oficerë të lartë të Policisë së Shtetit dhe prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela.

Deklarata e Policisë Fierit

Në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Fierit thuhet se rreth orës 21:15 është vrarë me armë zjarri deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Mbi të është hapur zjarr nga një distancë e afërt dhe vdekja e deputetit ka ardhur si pasojë e plagëve të plumbave që kanë përshkuar trupin e tij. Deputeti është ekzekutuar vetëm 4 metra larg shtëpisë së tij, sapo kishte parkuar automjetin dhe i ishte drejtuar në këmbë banesës. Të afërmit e kanë nisur drejt spitalit, por ai ka humbur jetën pa mbërritur në spital. Nga këqyrja e trupit të të ndjerit u konstatua se ai ishte goditur nga gjashtë plumba, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur një numër i konsiderueshëm gëzhojash.

Deklarata e Ministrisë së Brendshme

“Rreth orës 21:15 minuta nga ana e patrullës së qarkullimit rrugor në aksin rrugor Fier-Patos është konstatuar që familjarë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Fatmir Xhindi, po e transportonin atë me shpejtësi drejt Spitalit të Fierit, pasi ishte qëlluar me armë zjarri. Lajmi u konfirmua më pas nga autoritetet e Spitalit të Fierit, ku deputeti Fatmir Xhindi ishte dërguar nga familjarët e tij në gjendje të rëndë, pas goditjes me armë zjarri, për shkak të së cilës ka humbur edhe jetën. Forcat e policisë së Fierit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se deputeti Fatmir Xhindi është goditur me armë zjarri brenda oborrit të shtëpisë së tij, në kohën kur sapo kishte parkuar automjetin e tij. Sipas deklaratave paraprake të familjarëve të tij, deputeti Xhindi sapo ishte kthyer nga puna në pronat e tij private në zonën e Kurjanit. Në vendngjarje kanë mbërritur drejtues të lartë të Departamentit të Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe autoritetet e hetimit të krimeve të rënda të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier.
Në vendngjarje ndodhet edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Policia së bashku me Prokurorinë e Qarkut Fier kanë nisur hetimin dhe mbledhjen e të gjitha provave në vendngjarje. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë angazhuar të gjithë ekspertët më të mirë të hetimit të Krimeve të Rënda dhe siguron opinionin publik dhe familjen e deputetit Xhindi, se do të kryhet një hetim i hollësishëm dhe i thellë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për zbulimin e shkaqeve të saj dhe gjetjen e autorëve të këtij krimi të rëndë. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të mbajnë të informuar në vijimësi opinionin publik përmes medias”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›