Qeveria e Kosovës: Sulmi ndaj Tahirit, vepër uliganësh

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si aksion vandal dhe vepër uliganësh, sulmin me domate që iu bë makinës së zëvendëskryeministres Edita Tahiri nga aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”
Në një deklaratë për shtyp qeveria kosovare ka dënuar fuqimisht atë të cilën e cilëson si manifestim të dhunës dhe vandalizmit ndaj zëvendëskryeministres së Kosovës ndërsa ka theksuar se sulmi ndaj saj është një akt politikisht i papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me ligjin.
“Ky akt është vandal dhe manifestim i huliganizmit për përfitim politik.”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Gjithashtu qeveria thekson se do të vijojë dialogun me me Serbinë, sepse sipas saj, kjo do të çojë në njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit.
Qeveria gjithashtu thekson se sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë nuk ka alternativë dhe se “ata që kundërshtojnë këtë, pavarësisht se nga vijnë, nuk do të kenë perspektivë në shtetin e lirë dhe demokratik të Kosovës.”