E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri mbron marrëveshjet e arritura me Serbinë

Kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka mbrojtur të shtunën marrëveshjen e arritur në Bruksel dy ditë më parë, duke e cilësuar të rëndësishme për Kosovën, pasi së shpejti, siç tha ajo, pritet të ketë tregti të lirë midis dy vendeve.

“Me arritjen e këtyre marrëveshjeve secili shtet mori përsipër zbatimin e marrëveshjeve. Ne si shtet sovran do ta zbatojmë këtë marrëveshje. Jemi anëtarë të CEFTA-s dhe iu mbahemi obligimeve të saj. Kështu që në një kohë të shkurtër, mbase deri më datën 10 shtator, sapo të krijohen kushtet operacionale, do të fillojë tregtia e lirë midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Tahiri.

Ajo demantoi deklaratat e ndryshme lidhur me atë se Kosova ka lëshuar pe në këto bisedime, pasi sipas saj vulat që Serbia i ka njohur janë vula siç kanë qenë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

“Prej vitit 2008 në gjithë territorin e Kosovës vulat janë "Doganat e Kosovës" dhe këtë Stefanoviç dhe pala serbe e ka ditur. Ata e kanë ditë dhe ne u kemi thënë se këto vula njihen nga Bashkimi Evropian, prandaj nëse dikush ka bërë kompromise këtu është Serbia”, tha Tahiri.

Ajo gjithashtu siguroi se pikat doganore 1 dhe 31 shumë shpejt do të funksionojnë dhe se me ato do të administrojë Republika e Kosovës.

Për sa i përket marrëveshjes tjetër të arritur për kthimin regjistrave kadastralë, ajo tha se kjo marrëveshje e obligon Serbinë që t`i kthejë Kosovës të gjitha dokumentet që i kanë munguar prej 12 vjetësh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›