E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Kosovës mirëpret heqjen e plotë të masave nga BE-ja

PRISHTINË, 17 mars /ATSH/ Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndeti sot hapin e ndërmarrë nga Bashkimi Evropian për heqjen e plotë të masave ndëshkuese, të cilat i ishin vendosur padrejtësisht Kosovës.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mirëpriti njoftimin e Komisionit Evropian dhe theksoi se tani duhet lëvizur në rrugën drejt anëtarësimit.

“E mirëpresim konfirmimin e sotëm nga Komisioni Evropian në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian: të gjitha masat e BE-së ndaj Kosovës janë hequr dhe e gjithë ndihma financiare që ishte pezulluar më parë është liruar. Presim që kjo të hapë një fazë të re të angazhimit konstruktiv dhe progresit konkret në rrugën tonë drejt BE-së”, shkroi në X, zëvendëskryeministri Konjufca.

Komisioni Evropian bëri të ditur sot se Bashkimi Evropian ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023.

Gjatë debatit që është zhvilluar për raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së, konfirmoi heqjen e masave financiare.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat kishin të bënin me pezullim të financimit dhe të takimeve dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës.

Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›