Qeveria e re, Ivanov nesër i jep mandatin Gruevskit

Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov nesër pritet që t`i dorëzojë mandatin, liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski për formimin e qeverisë re.
Lideri i VMRO-DPMNE-së për herë të parë do të marrë mandatin për të formuar koalicione qeveritare, pas fitores së tretë të zgjedhjeve, dy prej të cilave ishin të parakohshme, në mandatin nga zgjedhjet e parakohshme të vitit 2008 dhe ato të 5 qershorit të këtij viti.
Burime jozyrtare nga kabineti i presidentit Ivanov kanë bërë të ditur se të martën pritet takimi me Gruevskin dhe dorëzimi i mandatit për të formuar qeverinë e re të koalicionit me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).
Deri tani janë publikuar disa nga emrat e mundshëm që do të jenë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar, edhe pse tek VMRO-DPMNE nuk priten ndryshime të mëdha, për shkak se kjo parti fitoi zgjedhjet me ekipin e deritanishëm të ministrave. Nga ana tjetër, ndryshime pritet nga radhët e BDI-së, pasi që kjo parti për herë të parë do të drejtoj dikastere të reja ministrore.
Partitë e koalicionit deri tani nuk kanë publikuar asnjë detaj lidhur me prioritet dhe platformën e bashkëqeverisjes.