Qeveria e re e kryeministrit Berisha, sot prova e fundit në Parlament

Vendimi është marrë pas një marrëveshjeje mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryeministrit, Sali Berisha.
Në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë është lajmëruar seanca e radhës, në të cilën do të miratohet programi politik i qeverisë për 4 vitet e ardhshme dhe përbërja e kabinetit.
"Bazuar në nenin 110, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë në të cilin thuhet se: "Data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 97 të Kushtetutës, përcaktohet nga Kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin", njoftojmë se, Kryetarja e Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin e Shqipërisë kanë vendosur mbledhjen e parlamentit në seancë plenare ditën e mërkurë, datë 16 shtator 2009 ora 18.00"- thuhet në njoftimin zyrtar nga Kuvendi.
b.a/NOA