Rrugorja 'shemb' në gjoba shoferët në kryeqytet, në arkë 1.7 milionë
TIRANË - Policia Rrugore e Tiranës vazhdon aksionin e gjobave në kryeqytet duke vënë me mijëra gjobe dhe hequr patentën dhjetëra drejtuesve. Kjo është fushatë justifikohet nga drejtoria e policisë me numrin e madh të aksidenteve sidomos gjatë stinës së verës. Nga an tjetër burime nga kjo drejtori thonë se kjo është mënyrë shumë e mirë për të mbushur arkën e policisë.
Postoblloqet e policisë shihen në të gjitha kryqëzimet e Tiranës, e sidomos në rrugët hyrëse, si tek Zogu i Zi, Qyteti i Nxënësve, Rruga e Elbasanit, etj.
Referuar njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Tiranë për një javë janë vendosur plot 1602 gjoba me vlerë 1 milion e 748 mijë lekë të reja.
"Kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj", thuhet në njoftimin e sotëm të zyrës së shtypit.
Kontrollet intensive do të vazhdojnë kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës.
Përpos gjobave, ky aksion i rrugores ka çuar edhe në pezullimin e patentave. Për një javë janë pezulluar 11 leje drejtimi. Policia iu bën thirrje përdoruesve të rrugës të ndërgjegjësohen në zbatimin me korrektësi të normave e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit.