E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e re, ministrat duhet të dorëzojnë mandatin pas votimit të ekzekutivit të ri

parlamenti-boshMinistrat e rinj të cilët do të nisin nga puna në muajin shtator, duke ju referuar qëndrimit të kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama duhet të japin dorëheqje nga mandati i deputetit. Por e gjitha kjo procedurë kërkon edhe një kohë të përcaktuar.

Procedura

Pjesëtarët e Qeverisë Rama pritet ta lënë mandatin e deputetit pasi ekzekutivi i ri të marrë bekimin e Parlamentit, ndërsa fillimisht do të betohen njësoj me kolegët e tyre të tjerë të Kuvendit. Deri më tani është e sigurtë që vetë Rama jo vetëm që nuk do të heqë dorë nga mandati parlamentar, por do të hapë në Vlorë edhe zyrën e deputetit. Edhe aleati i tij, Ilir Meta me postin që do të ketë, Kryetar i Kuvendit nuk do ta lërë mandatin e deputetit të fituar në 23 qershor. Procedura e kalimit të mandateve mund të marrë kohë. Pasi 16 ministra të kenë dorëzuar mandatin e deputetit, Parlamenti ka 30 ditë në dispozicion për të njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Mungesa e kuorumit prej 5 anëtarësh në KQZ mund të shkaktojë tjetër vonesë, duke thirrur përsëri në lojë Kolegjin Zgjedhor. Sipas anëtarit të KQZ, Klement Zguri, mjaftojnë 4 vota për të kaluar mandatin nga një deputet te tjetri në listë. Por socialistët, ndonëse nuk kanë ende një qëndrim zyrtar, konfidencialisht pohojnë se KQZ-së i duhen 5 vota dhe kjo automatikisht bën që kalimi i mandateve nga një emër i listës te tjetri, të kryhet përmes Kolegjit Zgjedhor.

Nëse ministrat do të dorëzonin mandatet në të njëjtin moment, atëherë mazhoranca do të reduktohej në 67 vota në periudhën e ndërmjetme. Për të shmangur një periudhë të tillë dobësie mendohet se dorëzimi i mandatit mund të behet në grupe. Ndoshta pesë e nga pesë, duke ruajtur kështu shumicën e votave në Parlament. Ndërkohë që nuk përjashtohet as plotësimi i vendeve bosh mes anëtarëve të KQZ, që do të përshpejtonte ndjeshëm procedurën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›