Qeveria e re, pritet rokadë ministrash
Në qeverinë e re përflitet rikthimi i Rusmalit. Në listën e kandidatëve për ministër nga PD-ja, edhe Astrit Patozi, Genc Pollo, Ferdinand Xhaferri apo Myqerem Tafaj
Të sigurt, Ridvan Bode tek Ministria e Financave dhe Lulzim Basha tek Ministria e Jashtme
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha duket se po bën të gjitha kalkulimet për të mos pasur një qeveri me më shumë se 14 portofole ministrore për 4-vjeçarin e ardhshëm, ndërsa mosmarrja e vendimit përfundimtar nga ana e Berishës, për portofolet që do të mbajë LSI-ja në këtë kabinet, e bëjnë të paqartë situatën edhe për përfaqësuesit e Partisë Demokratike në të.
Ndërsa njerëz të afërt dy negociatorëve kyçë, Berisha dhe Meta, tregojnë se është rënë parimisht dakord për të paktën 2 portofole ministrore, oreksi i LSI -së shfaqet gjithnjë e më i madh në publik me konferenca apo deklarata shtypi për zbatim të programit të saj në të gjitha fushat, aq sa e bën të rrëmujshme situatën se cilat dikastere synon Meta dhe njerëzit e tij.
Kjo situatë bën që për bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës në PD dhe qeverisjen aktuale, të ketë ende një sërë pikëpyetjesh, megjithëse data 20 gusht është e afërt dhe dy të "mëdhenjtë" do të ulen zyrtarisht për bisedime.
Skema brenda PD-së
Jozefina Topalli do të vijojë të jetë Kryetare e Kuvendit edhe për legjislaturën e ardhshme. Burime të besueshme të gazetës "Shekulli" tregojnë gjithashtu se Ridvan Bode është i sigurt në postin e ministrit të Financave edhe për 4-vjeçarin e ardhshëm në qeverinë "Berisha-Meta".
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Lulzim Bashën, i cili, sipas burimeve, pritet të vazhdojë detyrën si Shef i Diplomacisë Shqiptare, edhe pse ky dikaster synohej jo pak nga Ilir Meta.
Nëse deri në fund të negociatave, Basha do të vendoset përfundimisht për postin e diplomacisë, atëherë nën pretekstin e koalicionit të integrimit mes PD-së e LSI -së, kësaj të fundit pritet t'i mbetet drejtimi i dikasterit të Integrimit, ndërsa Majlinda Bregu po përflitet si kandidate për drejtimin e Ministrisë së Kulturës.
Një tjetër ndryshim në kabinetin e ri qeverisës pritet të vijë edhe për Ministrinë e Mbrojtjes. Burimet bëjnë të ditur se Gazmend Oketa nuk përfshihet në optikën e Kryeministrit Berisha për të drejtuar sërish këtë dikaster.
Kjo u duk qartë që në zgjedhjet parlamentare, ku emri i tij figuronte i treti në listën e kandidatëve për deputetë në Durrës, pas Albana Vokshit dhe Ferdinand Xhaferrit.
Kandidaturat më të mundshme për këtë dikaster, deri më tani janë Genc Pollo dhe Ferdinand Xhaferri. Një tjetër surprizë e qeverisjes së ardhshme pritet të jetë edhe rikthimi i Ilir Rusmalit në qeveri.
Burimet cituan se Rusmali është ndër emrat që përfliten për drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Bujar Nishani, sipas të gjitha gjasave, nuk do të vijojë të qëndrojë në këtë dikaster. Për drejtimin e këtij portofoli tepër të rëndësishëm përflitet edhe kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi.
Në rast se ky i fundit do të emërohet në këtë post, atëherë automatikisht ai mund të përjashtohet nga gara për postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së.
Edhe Enkeleid Alibeaj është një tjetër ministër që nuk do të gëzojë më karrigen e Ministrisë së Drejtësisë. Për këtë dikaster ende nuk ka një kandidaturë të fortë nga PD-ja, ndërkohe që mund t'i lihet për drejtim Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Edhe Ministria e Shëndetësisë duket se nuk do të drejtohet më nga Anila Godo, një tjetër portofol, që pretendohet nga LSI-ja. Lufter Xhuveli pritet të mos jetë më ministër i Mjedisit, për t'ia liruar karrigen një tjetër aleati, PDI-së, ose në rastin më të keq, republikanëve, për të cilët po përflitet Ministria e Bujqësisë, që aktualisht drejtohet nga Jemin Gjana.
Edhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, që aktualisht drejtohet nga Genc Ruli vazhdon të jetë pjesë e negociatave mes PD-së dhe LSI-së.
Ministria e Transportit dhe Telekomunikacioneve është një tjetër dikaster, për drejtimin e së cilës ende nuk po përflitet ndonjë kandidature e fortë. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale është një tjetër portofol, për të cilin Berisha po mendon seriozisht të ndryshoje drejtimin e saj.
Në rast se nuk do të ketë pakt me LSI-në, atëherë me shumë gjasë Berisha pritet t'ia japë një prej deputetëve aktualë, që i përket minoritetit. Edhe Ministria e Arsimit do të përfshihet në vorbullën e ndryshimeve të mëdha.
Radhitja e Fatos Bejës në vendin e 6-të në listën e kandidatëve për deputetë të Qarkut Fier, ishte rasti më i pastër për të kuptuar se në rast fitoreje të PD-së, ai nuk do të vijonte më të ishte pjesë e këtij dikasteri. Kandidatura më e fortë për këtë post është Myqerem Tafaj.
Megjithatë, gjithçka rreth përbërjes së ardhshme të qeverisë, pritet të vendoset vetëm nga përcaktimi i posteve, që LSI-ja do të marrë dhe lëvizjeve të fundit të Kryeministrit Berisha, praktika për të cilin ka treguar se ai mund të sjellë edhe surprizën e fundit.