Vrasja e policëve, replika të ashpra mes PS-së e PD-së
TIRANË - Vrasja e katër policëve në krye të detyrës në Durrës plot një javë më parë, vazhdon të jetë objekt i debatit mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, deklaroi dje se, se selia rozë ringre me forcë çështjen e bashkëpunimit të këtij pushteti me krimin, për të rimarrë me forcë më 28 qershor të drejtën për të sunduar jo vetëm mbi vendin, por edhe mbi ligjin.
"Jashtë çdo kriteri ligjor e përgjegjësie mendore, pushteti i Sali Berishës ka lëshuar me leje të paligjshme nga burgjet për fushatë në favor të pushtetit, një numër të konsiderueshëm vrasësish, trafikantësh e grabitësish, të cilët kanë shoqëruar ministra dhe kanë ushtruar terror psikologjik në zonat e influencës së tyre mafioze", - tha ajo. Imeraj shtoi se PS-ja disponon të dhëna alarmante për fluksin e lartë të lejeve të paligjshme, për të dënuar me rrezikshmëri të lartë në javët e fushatës.
"Ndërkohë që theksojmë publikisht se vrasja e katër shërbëtorëve të pafajshëm të shtetit në detyrë nga një kriminel i shumëkërkuar që bridhte lirisht rrugëve, është shprehja më dramatike e braktisjes së detyrës nga pushteti i Sali Berishës, i cili bën sikur drejton Shqipërinë, po në fakt vetëm menaxhon interesa familjare e klanore, duke grabitur çdo ditë përmes vendimeve të qeverisë prona e fonde publike", - tha ajo. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i PD-së.
"Ky bastard i nomenklaturës hoxhiste i lejoi vetes të shpallë të rënët në krye të detyrës si viktimat e korrupsionit dhe jo të rënë nga akti terrorist i Dritan Dajtit dhe që nga dita e premte e deri më sot, çdo ditë nxjerr në konferenca shtypi, duke shpifur dhe trilluar monstruozitete, që vetëm mendja e tij mund t'i krijojë. PD-ja nuk ka dashur të reagojë ndaj serialit makabër mediatik në respekt të të rënëve, por nuk mundi të heshtë më gjatë ndaj deklaratave të këtij humbësi pa moral që u dhunon dhe përdhos shqiptarëve ditën e zisë, në vend që të kryejë detyrimet më elementare që zija kombëtare imponon për çdo njeri të qytetëruar",- tha dje zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.