Pranga 23-vjeçarit, përdhunoi një të sëmurë mendore
FIER - Një 23-vjeçar nga Fieri është arrestuar nga policia në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes në fshatin Kallm të komunës Mbrostar Ura. Ai akuzohet për "kryerje të marrëdhënieve seksuale me persona të pazotë për t'u mbrojtur". Mësohet se në pranga është vënë Dorjan Driza.
Arrestimi i tij është kryer pas denoncimit të familjarëve të vajzës së dëmtuar, e cila vuan nga problemet mendore. Burime të policisë shprehen se ngjarja ka ndodhur 5 ditë më parë, në fshatin Kallm.
Rreth mesditës, 23-vjeçari, duke përfituar nga njerëzit e paktë që ndodheshin rrugëve të fshatit e ka marrë vajzën me probleme mendore dhe e ka drejtuar në tokat jashtë fshatit.
Më pas, sipas denoncimit të familjarëve, ka kryer me të marrëdhënie seksuale me dhunë. Por pas veprimit të kryer djaloshi është larguar, duke e lënë vajzën të shkonte vetë në banesën e saj.
Teksa kjo e fundit ka mbërritur në shtëpi, të afërmit kanë mësuar edhe për ngjarjen e ndodhur. Si rrjedhojë prindërit e saj kanë vendosur që të kryejnë denoncimin kundër 23-vjeçarit nga Fieri. Ky i fundit është vënë në pranga, teksa akuza e ngritur ndaj tij është kryerje e marrëdhënieve seksuale me dhunë me persona të pazotë për t'u mbrojtur".