E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re serbe mban mbledhjen e parë

Qeveria e re serbe pritet të mbajë sot mbledhjen e pare të saj, mbledhje të cilës i paraprin dorëzimi i kompetencave nga kryesministri në largim, Mirko Cvetkoviç tek kreu i ri i ekzekutivit të vendit.

Qeveria e re serbe u zgjodh të enjtën mbrëma ku kryeministri dhe anëtarët e kabinetit të ri qeveritar bënë betimin.

Qeveria e re e Serbisë ka 17 ministri, ndërsa për kryerjen e punëve të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kosovën, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, kishën dhe bashkësitë fetare, ashtu si edhe diasporën, është thënë se do të formohen shërbime të posaçme.

Ivica Daçiç, përveç postit të kryeministrit, mban edhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme.

Në fjalimin para Kuvendit, Daçiç tha se "qeveria e tij do të orinetohet drejt të ardhmes dhe jo e kaluara.

Ai theksoi se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por se është e nevojshme që të zbatohet çdo marrëveshje e arritur në dialog me Prishtinën.

Serbia ka formuar qeverinë e re më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të mbajtura më 6 maj, dhe një muaj pasi lideri socialist, Ivica Daçiç, u mandatua si themelues i qeverisë nga presidenti Tomisllav Nikoliç.

Qeveria e Daçiçit është e 12-ta me radhë që nga viti 1990, kur në Serbi ka hyrë në fuqi sistemi shumëpartiak.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›