“Qeveria është jashtë realitetit”- Revoltat studentore, pedagogu Rezart Prifti: Opozita një tufë pallaskash, janë të dehur
Pedagogu Rezart Prifti ka lëshuar kritika të forta ndaj klasës politike shqiptare, duke akuzuar si qeverinë, ashtu edhe opozitën se janë shkëputur nga realiteti dhe problemet e qytetarëve.

I ftuar në emisionin Prime News24, Prifti duke folur për protestën studentore, e përshkroi situatën në vend si një krizë të thellë kulturore dhe shoqërore, ku, sipas tij, mbizotërojnë hipokrizia dhe veprimi i shtirur politik.
Ai u shpreh se qeveria krijon përshtypjen e veprimit në disa drejtime, pa iu përgjigjur realisht problematikave të vendit.
“Teoria ime është që Shqipëria është në krizë të madhe kulturore dhe i bën shumë të thjeshta transaksionet. Kemi tri palë: qeverinë, pozitën dhe një shoqëri. Po marr qeverinë si e njeh. Mendoj se është jashtë realitetit. Është një trinom fals ku bëjmë gjasme të gjithë. Kemi një qeveri që bën gjasme në të gjitha krahët.”
Kritikat e pedagogut u drejtuan edhe ndaj opozitës, të cilën e konsideroi po aq të shkëputur nga shqetësimet e shoqërisë sa mazhorancën.
“Opozita është tufë pallaskash. Këta janë po aq jashtë konteksti sa qeveria. Kanë qenë në qeveri. Kur këta janë jashtë kontekstit, mirë këta në qeveri janë dehur, po këta në opozitë si janë dehur?”