E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria thërret Selmanllarin, është aksioner me Tartarin

Organi i akuzës, pritet t'i dërgojë fletë- thirrjen mikut të djalit të kryeministrit për të dhënë sqarime mbi pozicionin e tij


TIRANË- Njësia e Task-Forcës në prokurorinë e kryeqytetit, për të zbardhur akuzat politike të deputetes së Partisë Demokratike znj.Albana Vokshi ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës z.Edi Rama, ka bërë gati një fletë-thirrje edhe për Rrahman Selmanllarin, i njohur si miku i djalit të kryeministrit Sali Berisha dhe i përfolur si i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit, që ndodhi dy vite më parë.


Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës, të cilët saktësuan se thirrja e Selmanllarit, do të ketë qëllim zbardhjen e disa fakteve pasi emri i tij figuron në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit si bashkëpronar i shoqërisë "Vision Construction" së bashku me z.Arian Tartari.


Ky i fundit, është "akuzuar" nga bashkëjetuesja deputetja Vokshi se është detyruar të përfshijë në biznesin e ndërtimit me 20 % të aksioneve, Dritan Avllaj i njohur si "Tan Lepuri" vetëm për faktin se ky i fundit ka njohje me kreun e Bashkisë dhe mund të marrë lejën e ndërtimit për kompleksin e godinave të banimit dhe shërbimit që ishte projektuar të ndërtohet tek Liqeni Artificial.


Ky ndërtim, sipas kontratës së firmosur nga Arian Tartari, Dritan Avllaj, Ylber Cami, Fatos Skeja dhe Kujtim Hasa, do të ndërtohej në pronën truall të familjes Sharra. Ndërtimi përfshinte një sipërfaqe prej 17 mijë e 640 metra katrorë.


"Në dokumentet e sekuestruara nga Prokuroria në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) rezulton se shoqëria "Vision Construction" është themeluar në vitin 2007 dhe është hapur si biznes ndërtimi nga dy ortakët e vetëm në atë kohë, Rrahman Selmanllari dhe z.Arian Tartari.


Ky i fundit, më 5 korrik 2008, ka firmosur para noteres Luljeta Kongoli kontratën e bashkëpunimit me katër ndërtues të tjerë, mes të cilëve edhe Dritan Avllajn", -thuhet nga prokuroria. Avllaj është, akuzuar nga Partia Demokratike si sekser i kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.


Kjo kontratë është firmosur në emër të shoqërisë "Vision Construction" nga administratori Tartari dhe në të rezulton se edhe Selmanllari është aksioner. Sipas akuzës, për të provuar dhe sqaruar pozitën e Selmanllarit në këtë shoqëri dhe kontratat e firmosur më pas, prokuroria do të thërrasë këtë të fundit për të dhënë shpjegime.


Emri i Selmanllarit te Gërdeci si përfaqësues i SAC


Emri i biznesmenit Rrahman Selmanllarit doli në skenë pas zgjedhjeve të vitit 2005, fillimisht pas tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 u gjymtuan.


Në këtë fabrikë, emri i Selmanllarit figuronte si përfaqësues i kompanisë SAC që kishte për detyrë demontimin e municioneve në këtë ish-repart të transformuar në fabrikë demontimi të municioneve dhe predhave.


Më pas, emri i tij u lakua pas arrestimit të shoferit të Ambasadës shqiptare në Romë, i cili rezultoi se ishte i afërmi i Selmanllarit. Po ashtu Selmanllari, u akuzua edhe nga banorët e Orikumit për tjetërsim të pronave të tyre, akuza këto që i kundërshtuan pronarët e vërtetë të këtyre pronave.


Që nga ajo ditë, emri i Selmanllarit ishte harruar deri në mesin e muajt gusht kur deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi, akuzoi publikisht mikun e djalit të kryministrit Sali Berisha, z.Rrahman Selmanllari si të përfshirë në afera korrupsioni të përfitimit të koncesioneve nga qeveria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›