Qeveria heq sot TVSH-në për të gjitha produktet që nxisin prodhimin bujqësor vendas

Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje në Fier, aksin rrugor Ruzhdie - Margelliç, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 120 milionë lekë dhe konfirmoi bindjen në një fitore të PD me 23 qershor
Ironia për Ramën: “Na akuzon se i vodhëm programin në një kohë kur ai s’ka fare program”
“Qeveria do financojë çdo projekt të komunave në të gjithë vendin, me qëllim mbështetjen e sektorit bujqësor, rritjen e punësimit dhe modernizimin e infrastrukturës”. Kështu u shpreh dje nga Fieri, kryeministri Sali Berisha ku mori pjesë në inaugurimin e segmentit rrugor Ruzhdie-Margelliç, investim me vlerë 120 milionë lekë, i cili lidh komunën Ruzhdie me bashkinë e Patosit. Rruga me gjatësi 3.7 km dhe gjerësi 5 metra, dikur një pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave, është shndërruar tashmë, në një infrastrukturë moderne e bashkëkohore, nga e cila përfitojnë 5 mijë banorë dhe 6 fshatra. Kjo zonë e mirënjohur për prodhimet bujqësore, ullishtat, vreshtarinë, blegtorinë, si dhe prodhimin e vajit të ullirit, do të përfitojë nga rruga e re, lehtësi të mëdha për transportin e këtyre prodhimeve drejt tregjeve të Patosit, Fierit dhe Lushnjës. Kryeministri Berisha përshëndeti banorët e mbledhur me këtë rast dhe shprehu për ta vlerësimin dhe mirënjohjen më të thellë për shpirtin e tyre punëtor, përkushtimin ndaj vlerave të demokracisë, si dhe për vendosmërinë për të ndryshuar Ruzhdien, fshatrat dhe zonat përreth çdo vit e më shumë. Kryeministri iu premtoi banorëve se qeveria do të financojë çdo projekt, në katër anët e komunës së tyre, për ta bërë atë me rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore, njëlloj si çdo lagje e qyteteve të vendit. “Në këto vite ne kemi investuar në rrugë sepse pa rrugë nuk ka treg, sepse pa rrugë nuk ka kujdes shëndetësor, sepse pa rrugë nuk ka sistem arsimor që duhet, pa rrugë nuk ka zhvillim. Jam këtu për tu dhënë fjalën se 4 vjeçari që vjen, do të jetë 4 vjeçari i sistemit më modern të vaditjes që ekziston në ndonjë vend. Ne besojmë se potenciali i bujqësisë sonë është i jashtëzakonshëm. Ne besojmë, se në rast se gjatë këtyre viteve është arritur që eksportet e saj të rriten nga 66 milion dollarë që ishin në vitin 2005, në 154 milion dollarë në vitin 2012, bindja jonë e thellë është se eksporti mund dhe duhet të dhjetëfishohet por kjo kërkon vaditje, kërkon teknologji, kërkon që në çdo parcelë të përdoren teknologjitë më të avancuara. Qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për suksesin e fermave tuaja”- u shpreh Berisha. Kryeministri informoi se qeveria vendos sot, heqjen e TVSH-së, për të gjitha importet dhe të gjithçka tjetër që fermerët blejnë në tregun shqiptar, për të rritur prodhimin bujqësor. “Ne do të bëjmë gjithçka që ju të mbillni fidanët më të mira, do të bëjmë gjithçka që ju të mbarështoni racat më të mira të gjedhëve dhe bagëtive të tjera, do të bëjmë gjithçka që ju të keni linjat më moderne të përpunimit, do të bëjmë gjithçka për marketingun e prodhimeve tuaja”- garantoi kryeministri.
Kreu i qeverisë premtoi katër vitet e ardhshme të qeverisjes së demokratëve, do jenë bum investimesh. Sipas tij, mandati i ardhshëm do ai i Shqipërisë së zhvilluar dhe Shqipërisë europiane. “Në një kohë kur të tjerët silleshin nëpër televizorë se “Berisha fiton me votat e eskimezëve, unë shprehja krenarinë për ju, krenarinë për çdo votues shqiptar. Ata të cilët konsideronin fshatarët shqiptarë eskimezë, ata s’kanë asgjë shqiptare në gjakun e tyre, sepse ata vlerësimin për ju e kanë në varësi nga besimi apo mosbesimi që shprehni. Ndërsa ne vlerësimin për ju e kemi nga djersa e ballit tuaj, puna e shkëlqyer që bëni, atdhetarizmi juaj, familjet tuaja, mbrothësimi që ju i bëni atyre me punën dhe djersën tuaj. Të dashur miq, po shkojmë drejt zgjedhjeve. Duhet të bëjmë gjithçka për të bindur çdo banor të kësaj komune, çdo fermer, çdo qytetar, që së bashku të ecim përpara. Ne jemi ndryshimi, rruga që ndërtuam është ndryshimi, shkolla që po ndërtojmë është ndryshimi, pemëtoret e reja janë ndryshimi, kanalet vaditëse janë ndryshimi, pensionet që kemi dyfishuar janë ndryshimi, Shqipëria në NATO është ndryshimi, lëvizja e lirë në Evropë është ndryshimi, por ne votat i kërkojmë të kapim të ardhmen e re që na pret përpara, votat i kërkojmë që 4 vitet që vijnë të harrojmë sukseset që kemi patur 4 vitet që shkuan, të ecim drejt një mëkëmbje, begatisë, drejt zhvillimit, Shqipërisë evropiane, Shqipërisë, vend i zhvilluar. Ne shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve të përkushtuar për votën e lirë, shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me projektin më të shkëlqyer që Shqipëri ka njohur në tërë historinë e saj”- deklaroi kryeministri.
Duke u shprehur i sigurt në fitoren e së djathtës, Berisha hodhi poshtë akuzat e kreut Rama për kopjim të programit pasi sipas tij, PS dhe kryetari i saj nuk kanë asnjë program.
“Ju e keni dëgjuar atë shokun se çdo ditë bën atë “ëh” që bënte ai tek Knjazi i Malit të Zi. E dini ju atë historinë, - ma vodhën programin thotë, - është bërë qesharak. Po në fund të fundit ai të thotë ç’të dojë, ne do të hartojmë një program të shkëlqyer dhe me një vendosmëri të madhe, ta bëjmë atë realitet në interesin më të mirë të secilit prej nesh, të secilit prej jush, të banorëve të Ruzhdies, të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë” - deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.
Në komunën e Ruzhdies janë ndërtuar deri tani mbi 10 km rrugë, po ndërtohet shkolla 9 vjeçare dhe së shpejti fillon ndërtimi i ujësjellësit të tre fshatrave, Ruzhdie, Siqet e Gjinoqar. Ndërsa në qarkun e Fierit gjatë viteve të fundit janë investuar mbi 620 milionë euro në ndërtimin e 75 ujësjellësve e kanalizimeve, 91 shkollave dhe 64 qendrave shëndetësore.
Përsa i përket infrastrukturës rrugore janë ndërtuar mbi 500 km rrugë kombëtare dhe rurale me një vlerë prej 280 milion euro. Nga këto 220 milion euro janë investuar në ndërtimin e 235 km autostrada e rrugë kombëtare ndërsa 28 milion euro janë investuar në mbi 195 km rrugë rurale. Së shpejti fillon ndërtimi i By-pass-it të Fierit 21 km me vlerë 38 milion euro. Në sistemin e Energjisë Elektrike dhe Hidrokarbureve janë investuar 284 milion euro, ndërsa në bujqësi janë investuar 7.5 milion euro. Janë mbjellë sipërfaqe 1390 ha: në te cilat 1200 ha me ullinj ose 350 000 rrënjë ullinj) dhe me dru frutor 240 ha (pemë frutore e vreshta). Janë subvencionuar 4400 krerë bagëti dhe kane përfituar 2350 fermerë ne te gjitha skemat subvencionuese. Gjithashtu janë realizuar 3.5 milion euro investime ne kanale vaditëse e kulluese.