Rama harton listën e armiqve të tij brenda partisë

Ka përfunduar hartimi i listës së armiqve të fjetur të kryesocialistit brenda grupit parlamentar si dhe është përcaktuar sjellja ndaj tyre. Shumica prej tyre që tani dihet se s’do të jenë në listë dhe Edi Rama po zbaton kriterin paraprak të bolshevizmit, duke mos u hapur telefonin e duke mos i përshëndetur kur fillon mbledhjet e grupit. Në listë spikat degradimi i Gramoz Ruçit, të cilit s’i është miratuar asnjë rekomandim për listat e Gjirokastrës, Tepelenës e Fierit. Edhe emrat e Dokles, Dades, Leskajt, Malajt, Ilir Gjonit, Isarajt, Bellos, Dalipit, Bizhgës e Rukës s’figurojnë më në bocetet që mbajnë në duar 99-shat që ka caktuar Edi Rama të merren me listat
Njoftimi/Gazeta “55” do zbardhë në numrin e nesërm tarifat që ka shpallur kryetari i PS-së për përfshirjen në listat e deputetëve, sipas rendit dhe garancisë për zgjedhjen
Përcaktimi i listës së deputetëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet ardhshme parlamentare të 23 qershorit po kthehet në një telenovelë dramatike. PS-ja e Peqinit dhe ajo e Kukësit po rezistojnë në një kryengritje të brendshme kundër shkeljes së statutit të PS (neni 29, pika 14, e drejta për të miratuar listat e kandidatëve i përket kryesisë dhe jo kryetarit) nga ana e Edi Ramës, i cili po prezanton blerjet e reja duke u siguruar kandidatëve pa lidhje socialiste fitore të sigurta. Të parët që u eliminua nga lista e sigurt e PS ishin Asllan Dogjani (pa dijeninë e të deleguarit të kryesisë Arben Malaj), Skëndër Hasa (pa dijeninë e të deleguarit të kryesisë Ben Blushi, këmbëthyer) dhe Arben Isaraj ( pa dijeninë e Vali Leskajt), që u zëvendësuan me jeniçerë e rinj si Alfred Peza, Vexhi Muçmata e Ilirian Celibashi. Logjika e turqve të rinj që shkërmoqin perandorin e kuqë të mbajtur në këmbë për kaq vite nga Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Ilir Gjoni, Arben Malaj, Arta Dade, Valentina Leskaj e Et’hem Ruka është evidente në PS.
Megjithatë ajo që bie në sy është sjellja e Edi Ramës me themeluesit e Partisë Socialiste të cilëve as nuk iu hap telefonin dhe as i përshëndet kur fillon mbledhjen e grupit parlamentar duke iu dhënë mesazhin se tashmë jeni të parëndësishëm. Ky depersonalizim i grupit parlamentar prek jo pak deputetë. Në listë spikat degradimi i Gramoz Ruçit, të cilit s’i është miratuar asnjë rekomandim për listat e Gjirokastrës, Tepelenës e Fierit. Edhe emrat e Dokles, Dades, Leskajt, Malajt, Gjonit, Isarajt, Bellos, Dalipit, Bizhgës e Rukës s’figurojnë më në bocetet që mbajnë në duar 99-shat që ka caktuar Edi Rama të merren me listat. Erjon Veliaj dhe Endri Fuga shantazhojnë deputetët e PS duke iu thënë se janë bërë sondazhe pëlqimi në bazë dhe në elektoratin “gri” ku figurojnë të pavotueshëm. Ndaj vendimmarrja e Edi Ramës për të blerë në merkaton e të “pavarurve” kandidatë për deputetë të PS është e përligjur nga këto sondazhe të stisura në perceptime të gabuara.
Sidoqoftë një gjë është e sigurt: Edi Rama po shkel me dy këmbë statutin e Partisë Socialiste, neni 29 i tij në pikën 14, ku e drejta për të miratuar listat e kandidatëve i përket kryesisë. Padyshim ky nen përcakton se kryesia, “miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore”. Mirëpo kjo rezulton të mos jetë zbatuar pasi kryesia e PS-së ka më shumë se tre muaj që nuk është mbledhur dhe Edi Rama vetë vendos dhe vetë vulos në parti, duke e kthyer organizatën vullnetare në një vullnet personal të tij. Në fakt, konventa dy ditore e PS për paraqitjen e programit ishte antipasta e ngrënies së kokave të personaliteteve të PS që mendojnë ndryshe nga Edi Rama. Padyshim konventa dyditore në pallatin e Kongreseve shënjoi një çarje të thellë mes grupeve me valencë politike në PS, që ndahen në të preferuarit e Edi Ramës dhe të padëshirueshmit e tij. Në fakt fjalën në konventë për të bërë politikën e rilindjes sipas vizionit të Edi Ramës e morën njerëzit që do të jenë me shumë gjasa kandidatë për deputet të PS në pragun e sigurt. Në skenë hipën me radhë turqit e rinj të PS, Mimi Kodhelit, Ditmir Bushatit, Ilir Beqjas, Auron Tares, Alfred Pezës, Olta Xhaçkës, Ermonela Felajt, Vasilika Hysit, Saimir Tahirit, Erion Veliajt, Elisa Spiropalit, Fidel Yllit e shumë të tjerë. Ndërsa nuk u ngjitën të “zgjebosuri” PS, të cilëve iu refuzua pjesëmarrja në spektakël duke ngelur spektatorë gojëhapur të një dallimi të ri funksional në parti.